Çmendet Hani, lë jashtë Bogdanin

Miqësore e re, strategji e re, surpriza të reja. Trajneri i Kombëtares shqiptare, holandezi Ari Han, zbardhi 18 lojtarët të thirrur për miqësoren kundër Lihteshtejnit, e dyta në rang përfaqësuesesh e "epokës Han", pas asaj të humbur me Poloninë (0-1) në maj dhe e katërta duke përfshirë edhe dy skuadrat, zviceranët e Shafhauzenin (3-1) dhe kazakistanezen Kazaskyn (2-2).
Lista ka vetëm një detaj të ri, madje shumë të guximshëm. Erjon Bogdani golashënuesi më i mirë aktual i përfaqësues (8 gola) nuk është në listën e të besuarve të Ari Hanit. Një "shuplakë", që duket si pak e tepruar për sulmuesin e Kievos, pasi nëse ndeshja kundër Lihteshtejnit duket e lehtë në letër, ajo është gjithsesi prova gjenerale përpara sfidës së vështirë kundër Suedisë, më 6 shtator. Sulmuesi i Kievos duket se po jeton "antikohën e Brigelit", pasi dhe gjermani e thirri vetëm për shkak të presionit të shtypit shqiptar. Është e vërtetë se ish-sulmuesi i Livornos gjendet mediatikisht në merkato, por potenca e tij në vijën e parë është domethënëse, kur kemi parasysh se Hamdi Salihi apo Edmond Kapllani janë dy të vetmit sulmues të mirëfilltë. Në listë mungojnë edhe Besart Berisha (në top-formë) dhe veterani Altin Haxhi, i cili me eksperiencën e tij mund të jepte një kontribut të dobishëm.
Lajm përbën edhe thirrja e mbrojtësit shkodran Admir Teli, i cili së fundi nënshkroi me skaudrën turke Hacetepe. Tekniku portokalli e pa atë në ndeshjen e Vllaznisë kundër Koperit (2-1) dhe e thirri për ta pasur në qendër të mbrojtjes. Rikthim konsiderohet edhe prania e lojtarit të Tiranës, Ansi Agollit, i cili mungoi kundër Polonisë, për shkak se ish-klubi i tij finlandez, Vaas, nuk i ka dha lejë. Në listën e propozuar nga Ari Han mbizotërojnë tortalisht "legjionarët', teksa vetëm katër lojtarë luajnë në kampionatin vendas: Andi Lika (Tirana), Ansi Agolli (Tirana), Endri Vrapi (Elbasani) dhe Elis Bakaj (Partizani).
Lihteshtejni do të luajë në Tiranë, për të festuar ndeshjen e 100-të tyre ndërkombëtare (6 fitore, 10 barazime, 83 humbje).
Takimi kundër Lihteshtejnit do të jetë testi i tretë miqësor dhe i pari para publikut shqiptar i ish-trajnerit të Kinës, në drejtimin e Shqipërisë pas atyre me skuadrën zvicerane të kategorisë së dytë, Shafhauzen (të fituar 3-1) dhe finalistes së Kampionatit Europian, Polonisë (të humbur 0-1) në Reutlingen të Gjermanisë. Lihteshtejni, një principatë-shtet me rreth 36 mijë banorë, është një emër i panjohur për statistikat e futbollit shqiptar. Kuqezinjtë nuk kanë luajtur ndonjëherë kundër tyre.
Ndeshjen e fundit miqësore Lihteshtejni e ka humbur me Zvicrën 3-0 (më 30 maj 2008. Ekipi i futbollit të Lihteshtejnit është parë gjithmonë si një mundësi e mirë për të rregulluar golaverazhin. Humbja më e thellë e tyre është ajo kundër Maqedonisë (11-1), ndërkohë që Malta e ka mundur 7-1 në praninë e vetëm 200 vetave në "T'a Qali" të La Valetës.
Rezultati më i mirë historik i tyre është barazimi 2-2 me Portgalinë në vitin 2004, ndërkohë që kanë fituar 4-0 me Luksemburgun në kualifikueset e Kupës së Botës 2006. Në fitoret e Lihteshtejnit janë dhe ato me Letoninë (1-0) dhe Islandën (3-0), të arritura në eliminatoret e Euro 2008. Zvicerani Hans Peter Zaug është trajneri aktual i Lihteshtejnit, post të cilin e mban nga viti 2006.
Lojtari më i njohur i Lihteshtejnit është kapiteni Mario Frik (79 ndeshje, 13 gola), i cili luan për Sienën në Itali. Në eliminatoret e Kupës së Botës, Lihteshtejni ndodhet në një grup me Gjermaninë, Rusinë, Finlandën, Uellsin e Azerbajxhanin. Nëse Shqipëria do të luajë ndeshjen e parë zyrtare kundër Suedisë, Lihteshtejni do të përballet me Gjermaninë.
Ekipet e futbollit të Lihteshtejnit luajnë në kampionatin zviceran (vendi kufizohet nga Austria e Zvicra). Kupa e Lihteshtejnit i lejon një skuadre të Lihteshtejnit të marrë pjesë cdo vit në Kupën UEFA. Klubi më i njohur i Lihteshtejnit është Vaduz që merr pjesë në Kategorinë e dytë të futbollit zvicerane.
Emri Klubi
1. Arjan Beqaj Anorthosis
2. Isli Hidi Alki Larnaka
3. Debatik Curri Vorskla Poltava
4. Armend Dallku Vorskla Poltava
5. Kristi Vangjeli Aris Selanik
6. Endri Vrapi Elbasani
7. Andi Lila Tirana
8. Admir Teli Hacettepe
9. Ansi Agolli Tirana
10. Lorik Cana Olimpik Marsejë
11. Altin Lala Hanover 96
12. Ervin Skela Energi Kotbus
13. Klodian Duro Omonia
14. Ervin Bulku Krivbas
15. Jahmir Hyka Mainz 05
16. Elis Bakaj Partizani
17. Hamdi Salihi SV Ried
18. Edmond Kapllani Karlsruhe
Trajner: Arie Haan