E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shkëlqen Romela Begaj, e gjashta në Kinë

Peshëngritësja shqiptare Romela Begaj bëri një parqitje të pëlqyeshme, duke zënë vendin e gjashtë në Lojërat Olimpike në peshën deri në 58 kg, cka është rezultati i parë i madh në peshëngritjen për femra, duke marrë në konsideratë dy rezultatete arritura më parë për shtangistët meshkuj: Ymer Pampurin, rekord olimpik në "Munih 1972" dhe Ilirjan Sulin, vendi i pestë në "Sidnej 2000".
Begaj, një nga peshëngritëset më të talentuara dhe e para femër e kualifikuar direkt në "Pekin 2008" ngriti në total 216 kg: 98 kg në shkëputje dhe 118 në shtytje, duke lenë pas peshëngritëse polake, rumune e ekuadoriane. Në stilin e shkëputjes, Begaj arriti të njëjtin rezultat sa dhe vendi i dytë e i tretë, por pesha më e madhe trupore (57.56 kg), e ka renditur në vendin e katërt pas koreanoveriores O Jong, (57.15) dhe tajlandezes Uande Kameiam (57.25).
Begaj në stilin e shkëputjes kaloi fillimisht në provën e parë 95 kg, në të dytën bëri po mirë me 98 kg, por kur shtanga ishte 100 kg, muskujt e Romelës nuk e përballuan dot atë.
Në stilin e shtytjes, Begaj e nisi me 110 kg, duke e kalaur me lehtësi. Edhe në dy provat e tjera me 115 kg dhe 118 kg, ish-artistja e cirkut të Tiranës, e trajnuar nga Hektor Shaqiri nuk pati asnjë problem. Ky është dhe rezultati më i mirë i olimpistëve shqiptarë deri tani në "Pekin 2008". Në këtë garë, Kina fitoi një tjetër medalje të artë në peshëngritje, kur kampionia Chen Yanqing, mbrojti titulin e sja në peshën 58 kg për femra duke ngritur në total 244 kg. Medaljen e argjendtë e fitoi rusia Marina Shainova (227 kg në total) dhe atë të bronzit e fitoi peshëngritësja nga Korea e Veriut, O Jong Ae me 226 kg në toltal. Shqipëria ka dhe dy peshëngritës të tjerë në garë: Erkand Qerimaj dhe Gerti Trashën.

Rezultatet e Romela Begaj
Pesha 58 kg
Në stilin e shkëputjes: 98 kg
Në stilin e shtytjes: 118 kg
Në total: 216 kg
Vendi në Olimpiadë: 6

Romela Begaj
Datëlindja 2.11.1986
Vendlindja Tiranë
Sporti Peshëngritje
Gjatësia 163cm
Pesha 58kg
Rezultatet: 2005 - Kampionati Europian për të rinj/medalje argjendi
2006 - Kampionati Botëror përtë rinj Kinë/ medalje bronzi
2007 - Kampionati Europian të rritur Strasburg Francë/medalje argjendi
2008 - Kampionati Europian të rritur Itali/ ari, bronzi, argjend
Pekin 2008 - Lojerat Olimpike/ Vendi i gjashte
Pjesëmarrja në "Pekin 2008": Me kualifikim individual si Kampione Europe në shkëputje dhe nënkampionë ne dygarësh Kampionati Europian Itali 2008
Objektivi në "Pekin 2008": Klasifikimi në 8-shen më të mirë të peshës 58 kg

Profili i Romela Begaj
Nga Aida TUCI -

Romela Begaj është e para peshëngritëse që shkon në një olimpiadë me kualifikim direkt. Ish-artistja e cirkut s'e kishte menduar kurrë se pas shumë vitesh do të bëhej peshëngritëse. I ishte përkushtuar cirkut që në moshë të vogël dhe vetëm kur mbushi të 17-tat u pikas nga ish-trajneri Faruk Kalleshi. Asokohe, Kalleshi, që ngriti dhe ekipin e parë të femrave peshëngritëse, do të shprehej se "Romela ka një konstrukt të mirë për t'u bërë një peshëngritëse e madhe." Dhe vërtet ashtu ndodhi. Sot ajo bashkë me trajnerin aktual Hektor Shaqiri po ngjisin ngadalë majat e suksesit, ku më i fundit është pa dyshim pjesëmarrja për herë të parë e peshëngritjes shqiptare për femra në një olimpiadë.

Titulli kampion e Europës hap dritën jeshile

Romela Begaj është kampionia më e re e Europës në peshëngritje. Ajo u ngjit në podin e fitueses së medaljes së artë dhe të argjendtë në kampionatin europian për të rritur që u zhvillua në Italia. Me titullin kampione e Europës Begaj hyn në 10-shen më të mirë të femrave, duke fituar të drejtën e përfaqësimit në Lojërat Olimpike "Pekin 2008". Por përvec kësaj Romela Begaj ka edhe meritën se për herë të parë ajo përfaqëson peshëngritjen shqiptare në një olimpiadë. Dhe për më shumë me kualifikim individual.

Mes artit dhe sportit zgjodhi peshëngritjen

Pas më shumë se 10 vjetësh në botën e cirkut, Romela Begaj vendos të bëhet peshëngritëse. Gjithmonë kishte dashur të bëhej e njohur dhe e kishte nisur me cirkun. Por suksesin më të madh, sigurisht, e arrin në peshëngritje. "Stërmundohesha shumë në cirk. Të qenit artiste cirku kërkon përgatitje shumë të lartë dhe, kur vinte puna, nuk vlerësoheshim aspak për sakrificën që bënim. Në peshëngritje është më ndryshe. Unë përgatitjen fizike e kam trashëguar që nga cirku, kështu që m'u desh më pak punë te peshëngritja dhe sigurisht që në peshëngritje vlerësimi material është shumë më i mirë,"- është shprehur dikur peshëngritësja teksa jepte arsyet e largimit nga cirku për t'iu përkushtuar peshëngritjes. "Kam punuar në cirk që nga mosha 8 vjecare, derisa një ditë më thanë se kisha trup të përshtatshëm për t'u bërë peshëngritëse. Në fillim nuk e mora me shumë qejf, por megjithatë vendosa që ta provoja." Dhe që nga prova e parë kaluan vetëm tre muaj dhe e pa vetën të vinte përditë në palestrën e peshëngritjes për t'u stërvitur. Më pak se 3 muaj iu deshën të merrte medaljen e parë në Spanjë, ku u rendit në vendin e tretë me medalje bronzi. Pas shumë pak kohe vjen një tjetër medalje për të. Ajo shpallet fituese e medaljes së argjendtë në Sllovaki e më pas suksesi do të vazhdonte në Kinë, Itali, Qipro, Santo Domingo, Strasburg etj. Sot pas kaq shumë sukseseve dhe të mirave materiale që e kanë shoqëruar ajo është e lumtur për zgjedhjen që ka bërë. Ka zgjedhur rrugën më të shpejtë t'u bërë e famshme. Dhe ia ka dalë jo vetëm të evidentohet si sportiste, por edhe të fitojë medalje e tituj kampione në një periudhë realitivisht të shkurtër, krahasuar me vitet e saj në cirk.

Megjithatë, nuk e ka pasur kaq të lehtë për të braktisur rrugën e artit. Të parët që ishin kundër ishte familja, të cilët e kundërshtuan zgjedhje e Romelës për t'u bërë peshëngritëse. "Në fillim prindërit nuk donin të bëhesha peshëngritëse, pikërisht sepse isha vajzë dhe ky sport konsiderohet sport burrëror. Për më tepër që është sport që sjell deformime te një femër,"- thotë Romela. Por të njëjtën gjë do të dëgjonte dhe nga shumë të tjerë, por qëllimi i saj ishte të bëhej e njohur dhe, me sa po shihte, peshëngritja i krijonte me shumë mundësi se cirku.

Në Olimpiadë nuk është cudi dhe medalja

Ka nisur me kohë përgatititjet për Lojërat Olimpike të Pekinit. Madje dhe para se të kualifikohej Begaj shpresonte përfaqësimin në olimpiadë. Ishte e bindur se këtë vit do të arrinte të shkonte në Pekin. Dhe këtë e dëshmoi në europian. Ajo ishte sportistja e 11-të që iu bashkua ekipit olimpik shqiptar. Por me sa duket për Begajn "oreksi vjen duke ngrënë". Pas titulli kampione e Europës, ajo mendon se mund të ngjitet dhe në majën e olimpit. Ajo e sheh veten si një prej 11 sportistëve tanë në Lojërat Olimpike, që mund të fitojë medalje. Në fakt, po të kërkosh kundërshtaret e saj në olimpiadë, nuk e kalojnë numrin 12. Ndryshe nga meshkuj që kanë shumë më shumë rivale (rreth 100 që ndahen në tri bateri) Romela Begajt i duhet që në Olimpiadë të përballet me vetëm 12 rivale. Sigurisht, mes tyre është kampionia e botës apo dhe kampione olimpike, por Begaj shkon në Lojërat e Pekinit me titullin kampione dhe nënkampione e Europës mbi supe. Nëse shtanga europiane do të jetë më e rëndë, ajo i ka të gjitha gjasat të hyjë në zonën e medaljeve, edhe pse përballë ka kampionen olimpike dhe kampionen e botës. "Unë bazohem në rezultatet e mia gjithnjë në rritje, forma e mirë fizike që kam kohët fundit, si dhe përgatitja intensive që kam bërë me trajnerin tim, Hektor Shaqiri,"- thotë Romela, e cila me sa duket nuk e kupton përgjegjësine e madhe që ka, pasi ajo mund të jetë sportistja e parë shqiptare që ngjitet deri në majën e Olimpit.

Femra që "vishet" vetëm sportive

Ajo në fakt nuk ka veshur ndonjëherë fustane mbrëmjeje apo veshje klas. Gjithmonë është e veshur sportive, sepse gjatë gjithë kohës ajo bën vetëm sport. "Në gardërobën time ka vetëm atlete, kostume sportive, xhinse. Kam pak veshje klasike, që s'i kam veshur ose i kam veshur shumë rrallë, por dhe këto mund të them se janë pantallona, pasi fundet dhe fustanet kam vite e vite që nuk i vesh më,"- shprehet Romela. Ajo mendon se, duke qenë se në më të shumtën e kohës është në palestër dhe që gjithcka në jetën e saj lidhet me sportin, nuk mund t'i përshtatet asgjë më shume se veshja sportive. Pastaj, në fund të fundit, ndihet më rehat ashtu edhe pse humbet pak nga feminiteti i saj. Por kjo është e fundit gjë që mund ta shqetësojë.

Dashuria e ndjek deri në Pekin

Dashuria për të është e para. Ata të dy, Romela dhe Gazmendi, që kur janë njohur, nuk ndahen nga njëri-tjetri. Gazmendi e shoqëron ngado. E shoqëron në të gjitha aktivitetet ku shkon dhe në të gjitha takimet që ka. Madje dhe kur i bie celularit të Romelës, nuk është cudi që zëri përtej të jetë zë mashkulli që të kërkon informacion për telefonatën. Gazmendi nuk i përket fushës së sportit. Gazmendin ajo e ka njohur rastësisht, por që nga ajo ditë nuk janë ndarë më. Madje i fejuari i saj (sepse tani janë zyrtarisht të fejuar) e ka ndjekur Romelën deri në Pekin. Pjesë e delegacionit tonë atje (jo pjesë zyrtare) është edhe i fejuari i Romelës. Në fillim ai ka pasur vështirësi të akomodohet në Pekin, pasi shkonte si turist, por tani ai është bashkë me sportisten, i qetë që më në fund do ta ndjekë sërish kudo edhe në Pekinin e largët.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›