E Diel, 1 Nëntor 2026

Dënohet për vrasje, fieraku pret damarët në Burgun 313

Në shenjë proteste për shpalljen fajtor dhe dënimin me 16 vjet burg për vrasje, një i dënuar nga Fieri tenton të vetëvritet në Burgun 313 në Tiranë. Alket Bita, 33 vjeç, banor i qytetit të Fierit, i cili është duke vuajtur dënimin në burgun e sigurisë së lartë në kryeqytet, ka prerë damarët tri ditë më parë. Gjykata e Shkallës së Parë e Rrethit Gjyqësor Fier e ka shpallur fajtor dhe dënuar Bitën me 16 vjet burg për vrasje, dënim që ishte caktuar ta kryente në Tiranë. Ashtu si dhe gjatë zhvillimit të procesit gjyqësor, që zgjati më shumë se një vit, edhe gjatë dhënies së vendimit, Alket Bita mësohet të mos e ketë pranuar akuzën. Ai i ka kërkuar disa herë trupit gjykues rishikim të të gjitha provave që ishin vendosur në dosjen e tij. Nëna e të dënuarit Shazia ka deklaruar për gazetën se "tri ditë më parë, djali, pasi është njohur me vendimin e gjykatës, ka tentuar të vetëvritet. Ai ka prerë damarët në burg, ndërkohë që tashmë ndodhet në spitalin e burgut. Damarët i ka prerë në dorën e majtë me mjete të mprehta. Ndërkohë drejtues të Policisë së Fierit pohojnë faktin e ndodhur në Burgun 313 në Tiranë, ndërsa deklarojnë se Bita ndodhet jashtë rrezikut për jetën në spitalin e burgut. Familjarët e tij në Fier janë informuar nga një telefon i bërë nga vetë Alket Bita. Motra e tij ka udhëtuar drejt spitalit të burgut në Tiranë, ku ka marrë takim me të vëllain dhe më pas ua ka komunikuar prindërve se çfarë ka konstatuar. Nëna e tij, Shazia, është shprehur e sigurt se i biri nuk e ka kryer krimin dhe, sipas saj, gjykatësit e kanë dënuar me pa të padrejtë, pasi nuk ka pasur asnjë provë kundër tij.
Prindërit e Bitës deklarojnë se pas arrestimit dhe gjatë një viti që ka zgjatur procesi gjyqësor, 33-vjeçari ka shfaqur shenja të theksuara depresioni.
Gjykata e Rrethit Gjyqësor Fier e ka dënuar Alket Bitën me 16 vjet burg për vrasjen e Astrit Rustemit, ngjarje e ndodhur në vitin 1997. Krimi i ndodhur pranë ish-bazës së tubove të qytetit të Fierit ka mbetur për shumë vjet pa autor, derisa pas rihapjes së dosjes u ndalua Alket Bita, si i dyshuari kryesor për autorësinë e vrasjes. I pandehuri, gjatë seancave gjyqësore, të cilat kanë zgjatur më shumë se një vit, nuk e ka pranuar për asnjë çast akuzën e vrasjes. Gjithsesi, Gjykata e Fierit, duke iu referuar fakteve të dokumentuara gjatë seancave gjyqësore ashtu dhe nga organi i akuzës, e ka quajtur atë fajtor për ngjarjen.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›