E Diel, 1 Nëntor 2026

Topi e Topalli, vizitë te familjarët, mungon Berisha

Zyrtarë të lartë të shtetit kanë kujtuar dje 11-vjetorin e vrasjes së dëshmorit të demokracisë, Azem Hajndari. Gjatë vizitës dhe bashkëbisedimit me familjarët, kreu i shtetit, Bamir Topi, i shoqëruar edhe nga deputeti i PD-së, Besnik Mustafaj, kanë përmendur dhe ndarë me ta disa nga kujtimet më të veçanta dhe më të paharrueshme të njohjes, miqësisë dhe punës me të ndjerin Azem Hajdarin, duke nënvizuar forcën e karakterit, guximin, vetëmohimin dhe besimin te populli shqiptar dhe triumfin e konsolidimin e demokracisë në Shqipërisë. Azem Hajdari u shqua për këto veti që në fillimin e Lëvizjes Studentore të vitit 1990-të, për të vazhduar me veprimtarinë politike, duke mbetur në kujtesën historike si një udhëheqës me vlera të rralla demokratike e patriotike, për të cilat i është dhënë, pas vdekjes, edhe urdhri i lartë "Gjergj Kastrioti Skënderbeu" nga Presidenti i Republikës. Bashkëshortja, fëmijët dhe të afërmit e të ndjerit Azem Hajdari, falënderuan Presidentin Topi për nderimin që i bën gjithmonë kujtimit të "Pishtarit të Demokracisë", duke shprehur njëkohësisht edhe një herë mirënjohjen për vizitën. Pjesë e përkujtimit të Azem Hajdari janë bërë dje edhe nënkryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, e cila e shoqëruar nga nënkryetari tjetër, Astrit Patozi, sekretari i përgjithshëm i PD-së, Ridvan Bode, dhe kryetari i PD-së së Tiranës, Aldo Bumçi, kanë vënë buqeta dhe kurora me lule pranë memorialit të tij afër PD-së, ku ai u ekzekutua 11 vjet më parë. Më pas ata bënë vizita edhe në shtëpinë e tij, ku janë pritur nga bashkëshortja dhe fëmijët e Azemit. Por ndryshe nga 11 vjet rresht, pjesë e homazheve nuk është bërë Kryeministri Berisha, i cili, sipas funksionarëve të Kryeministrisë, nuk ka marrë pjesë në këto homazhe për shkak të ngarkesës së madhe në punë, pasi po merret me hartimin e programit të ri qeverisës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›