Kërcënon kunatën me sëpatë, pse dilte pa leje nga shtëpia
Nuk pranon t‘i japë shpjegime kunatit në lidhje me lëvizjet e saj jashtë shtëpisë, në mungesë të bashkëshortit, por bie pre e kërcënimeve për jetën nga ana e tij. Një 25-vjeçare, banore e fshatit Goriçan, ka kërkuar ndihmën e policisë, pasi, sipas denoncimit të saj, kunati e kishte kërcënuar me jetë, duke i drejtuar sëpatën gjatë një grindjeje mes tyre. Burime të Komisariatit të Policisë së Beratit bëjnë me dije se 25-vjeçarja J.Baho ka denoncuar pasditen e së enjtes kunatin e saj, Saimir Baho, duke e akuzuar këtë të fundit për kanosje. Nusja e re ka shkuar në Komisariatin e Beratit dhe u ka shpjeguar oficerëve të policisë se ishte kërcënuar nga kunati pas një grindjeje. Grindjet mes nuses së re dhe vëllait të burrit të saj mësohet se kishin lindur para disa ditësh, pasi, sipas denoncimit, 34-vjeçari ndërhynte në jetën e saj për çdo lëvizje jashtë shtëpisë. Nusja mësohet se jetonte me prindërit e bashkëshortit dhe kunatin, pas emigrimit të bashkëshortit drejt Greqisë. Në mungesë të këtij të fundit, në familje mësohet të ketë qenë kunati ai që i kërkonte shpjegime nuses së sapomartuar në lidhje me çdo lëvizje të saj, çka mësohet se është bërë shkak për grindjet mes tyre. Një grindje e tillë ka ndodhur edhe ditën e enjte në qendër të fshatit, në vendin e quajtur Goriçan Pasha. Nusja kishte dalë nga banesa për të shkuar në pazarin e fshatit, ku është ndeshur me kunatin e saj. Ky i fundit i ka kërkuar shpjegime se përse kishte dalë nga banesa pa lejen e tij, çka ka shkaktuar zemërimin e të resë. Në grindje e sipër 34-vjeçari Saimir Baho e ka kërcënuar me një sëpatë që mbante me vete. Ekspertët e policisë kanë shkuar në fshatin Goriçan të Komunës Kutalli, ku kanë marrë në pyetje 34-vjeçarin. I akuzuari nuk ka pranuar faktin se kishte kërcënuar kunatën, por gjatë marrjes në pyetje ka pohuar se në mungesë të vëllait ai kujdesej për të. Burime të policisë bëjnë me dije se Baho do të ndiqet penalisht në gjendje të lirë, për veprën penale të "kanosjes", ndërkohë që hetimet po kryhen nga Prokuroria e Beratit.