Kercenon para gjykatesit me vdekje
Një ngjarje e pazakontë ndodhi dje në Gjykatën e Tiranës, ku po ndaheshin çifti Pjetri, dhe burri kërcënoi me vdekje gruan para gjyqtares. E arreston policia
TIRANË - “Po më ndave, do të të vras”. Ky ishte kërcënimi që Gjon Pjetri i adresoi bashkëshortes së tij në prezencë të gjyqtares Mirela Fana gjatë njërës prej seancave të divorcit mes çiftit Pjetri. Incidenti që alarmoi policinë dhe forcat e sigurisë së gjykatës ndodhi rreth orës 14.00 të ditës së djeshme në Gjykatën e Tiranës, kur një proces normal divorci u kthye në gjendje ankthi dhe paniku jo vetëm për nënën e tre fëmijëve që bashkëshorti ia kishte bërë jetën të padurueshme, por edhe për gjyqtaren Mirela Fana dhe sekretaren e saj. Ngjarja ndodhi në zyrën e gjyqtares, gjatë seancës së djeshme, ku për herë të parë i padituri ishte prezent në procesin e divorcit mes tij dhe bashkëshortes. Dyshimi se ky proces veç bashkëshortes Natasha Pjetri, mund t’i sillte edhe humbjen e tre fëmijëve, bëri që Gjon Pjetri nga Bathorja të humbasë kontrollin dhe të kërcënojë bashkëshorten deri dhe me vdekje. Sipas burimeve nga gjykata, bëhet me dije se i padituri i është drejtuar bashkëshortes me deklarata kërcënuese, duke i thënë “nuk mund të ndahesh prej meje për shkak të fëmijëve. Nëse ti më ndan dhe më merr fëmijët, unë do të vras”. Gjyqtarja e divorceve përballë një situate të tillë lajmëroi forcat e sigurisë së gjykatës dhe uniformat blu të Komisariatit Nr. 2, por askush nuk mundi të ndalojë Gjon Pjetrin, i cili zbriti i qetë nga kati i tretë i gjykatës dhe përmes uniformave blu dhe rojave të sigurisë, u largua me automjetin e tij. Ndërsa forcat e policisë arritën rreth një orë me vonesë, kohë gjatë së cilës nëna e tre fëmijëve, Natasha Pjetri, u mor në ruajtje nga forcat e policisë së burgjeve që shërbejnë në gjykatë. Pas dy orësh qëndrimi në korridorin e katit të tretë të gjykatës, aty ku ndodhet edhe zyra e gjyqtares Mirela Fana, gruaja e traumatizuar u shoqërua me një automjet policie për në Komisariatit Nr. 4, ku bëri dhe denoncim ndaj ish-bashkëshortit. Sipas policisë, Gjon Pjetri u prangos pasditen e djeshme nga forcat e policisë së Komisariatit Nr. 5 me akuzën e “kanosjes”. Sipas burimeve nga gjykata, çifti Pjetri prej pak kohësh ndodhej në proces divorci, kërkesë të cilën e ka bërë Natasha pas konflikteve të vazhdueshme me bashkëshortin. Nëna e tre fëmijëve në kërkesë-padinë e saj pretendon se dhunohej sistematikisht nga bashkëshorti i saj, me të cilin ka tre fëmijë të mitur. Në kërkesën e depozituar në gjykatë kërkon zgjidhjen e martesës me Gjon Pjetrin, lënien e fëmijëve për rritje dhe edukim, si dhe caktimin e pensionit ushqimor nga babai i tyre. Nga nisja e procesit të divorcit, Natasha Uka (Pjetri) së bashku me tre fëmijët e mitur jeton në një banesë me qira në lagjen “Allias” në periferi të kryeqytetit.