Pengmerret një i ri
Larja e hesapeve për prishjen e pazareve të drogës solli marrjen peng të një të riu, arrestimin e një tjetri dhe shpalljen në kërkim të dy bashkëpunëtorëve të të dyshuarit si pengmarrës
TIRANË - Larja e hesapeve për prishjen e pazareve të drogës solli marrjen peng të një të riu, arrestimin e një tjetri dhe shpalljen në kërkim të dy bashkëpunëtorëve të të dyshuarit si pengmarrës. Sipas policisë së Tiranës, mësohet se mbrëmjen e së mërkurës, Gramoz Selmani, 23 vjeç, mori peng nëpërmjet forcës 20-vjeçarin Festim Gici, të cilin, me ndihmën e Gentian L., 22 vjeç dhe Bilbil K., 23 vjeç, tashmë të shpallur në kërkim, e kanë hipur në një automjet në pronësi të të arrestuarit Selmani dhe e çuan në fshatin Brar. Sipas burimeve zyrtare policore, mësohet se shkak për këtë të jetë bërë sasia prej 50 gramësh heroinë, të cilën i dëmtuari Gici dyshohet se ua ka marrë agresorëve për ta trafikuar. Por Festim Gici mundet të ketë bërë vetëm një “gabim”, që pasi e shiti lëndën narkotike, “harroi” t’u jepte lekët personave që më pas e morën peng dhe e dhunuan fizikisht. Burimet tregojnë se ngjarja ndodhi në orët e vona të mbrëmjes së datës 27 shkurt, në rrugën “Karl Gega”, në zonën e “Kinostudios”. Selmani, i ndihmuar nga dy bashkëmoshatarët e tij, hipën 20-vjeçarin në një makinë dhe e çuan atë në fshatin Brar. Aty mësohet ta kenë rrahur e goditur, duke i lënë hematoma në pjesë të ndryshme të trupit. Ndërkohë që familjarët e Gicit, pasi shqetësimit për fatin e djalit të tyre, denoncuan në Komisariatin Nr. 4, forcat policore të të cilit nisën menjëherë punën për zbardhjen e ngjarjes. Disa orë pas deponimit të familjarëve, uniformat blu vunë në pranga Selmanin, person me precedent penal për veprën penale të “vjedhjes”. Arrestimi i tij ka çuar edhe në lirimin e pengut, dhe ka nisur puna për kapjen e dy të rinjve të tjerë që kanë ndihmuar mikun e tyre për marrjen peng dhe dhunimin e “rivalit” të drogës. Dy të kërkuarit akuzohen për konsumimin e veprave penale të “heqjes së paligjshme të lirisë”, si dhe “mosbindje ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik”. Po sipas të njëjtave burime, bëhet e ditur se, pasi është shoqëruar në polici, Selami mohoi të ketë marrë peng dhe të ketë ushtruar dhunë ndaj Gicit. Ai refuzoi kategorikisht çdo akuzë dhe tha se me të dëmtuarin janë vetëm miq dhe se në fshatin Brar ishin për të bërë një shëtitje me makinë dhe vetëm kaq. 23-vjeçari Selmani gjithashtu mohoi të ketë ushtruar dhunë ndaj Festim Gicit. Policia po kërkon ende dy personat e shpallur në kërkim, ndërkohë që hetimet në lidhje me ngjarjen e dy netëve më parë ende nuk janë mbyllur.