Nis privatizimi nga familjarët për ish-ndërmarrjet
Përcaktohen tarifat e privatizimit të godinave. Përfitues personat që kanë kontratë qiraje me shtetin para vitit 1992
Më në fund ndizet drita jeshile për familjet të cilat janë të strehuara në ish-ndërmarrjet shtetërore. Tashmë, këta banorë kanë të drejtë të blejnë ish-ndërtesat shtetërore të cilat funksionojnë si banesa. Në shumicën e rasteve, banorët të cilët janë strehuar në këto godina, i paguajnë shtetit qira, por tani, nëpërmjet pagimit të një tarife, këto godina mbeten të tyre. Qeveria ka vendosur që të gjitha banesat e ndërtuara nga shteti para vitit 1992, të cilat figurojnë në pronësi të shtetit, do t’u shiten atyre personave që kanë kontratë qiraje me shtetin para vitit 1992 dhe të personave të tjerë që jetojnë me to. Po ashtu, ish-godinat shtetërore mund të blihen edhe nga personat që kanë emrin në listën e trashëguar nga ish-ndërmarrjet shtetërore dhe të personave të tjerë të familjes, pas miratimit nga organet e qeverisjes vendore. Në vendimin e qeverisë përcaktohen dhe tarifat e privatizimit të truallit. Për qytetet Tiranë, Durrës, Shkodër, Vlorë, Sarandë, Korçë, Gjirokastër, Fier, Lushnjë, Elbasan, Pogradec, Lezhë, Krujë dhe Kavajë, tarifa është 1080 lekë/m2. Kurse brenda vijave kufizuese të qyteteve të tjera, tarifa është 720 lekë/m2. Për sa u përket zonave rurale, çmimi do të llogaritet duke iu referuar tarifës së privatizimit të truallit në zonën periferike të qytetit më të afërt me banesën që do të privatizohet dhe duke e shumëzuar këtë tarifë me koeficientin 0.3. Po ashtu, vendimi i qeverisë parashikon që, në ato raste kur trualli ka pronar një subjekt privat të njohur nga Komisioni i Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, do të zbatohet ligji për kthimin dhe kompensimin e pronave. Kurse fondet që do të arkëtohen nga shitja e objektit, do të përdoren për sistemimin e këtyre familjeve nga institucionet shtetërore. Gjithashtu, vendimi parashikon që, në rastet kur trualli mbi të cilin është ngritur objekti i kthyer në banesë është pronë e shtetit, familja ka të drejtë ta privatizojë objektin, ndërsa trualli mbetet pronë e shtetit. Gjithashtu, parashikohet që, në rastet kur zona rizhvillohet sipas planit urbanistik, familjarët do të përfitojnë strehim nga shteti. Tarifa e privatizimit të banesës mund të shlyhet në mënyrë të menjëhershme ose me këste, kurse tarifa e privatizimit të truallit duhet të kryhet në mënyrë të menjëhershme. Kontrata e privatizimit lidhet nga kryetari i bashkisë apo dhe i komunës. Kontrata do të përmbajë kërkesën për privatizimin e godinës, certifikatën e gjendjes familjarë, tarifën e privatizimit, i cili llogaritet nga organet e pushtetit vendor dhe strukturat e tjera, si dhe planimetrinë e apartamentit. Por vendimi i qeverisë thotë se kjo e fundit nuk ka asnjë detyrim financiar për ato godina ku familjarët kanë kryer investime. E gjithë puna për përgatitjen e procedurave të privatizimit, duke përfshirë këtu formularët dhe vendimin e privatizimit, do të kryhet nga strukturat e strehimit pranë pushtetit vendor. Menjëherë pas pagimit të tarifës së privatizimit, këto banesa kanë të drejtë të regjistrohen pranë Zyrave të Regjistrimit të Pasurive.