Nuk ka ndarje
SHBA-të dhe BE-ja theksojnë mbështetjen ndaj shtetit të ri të Kosovës, dhe se nuk do të lejojnë ndarjen e tij
Uashingtoni ka përsëritur edhe një herë mbështetjen për shtetin e ri të Kosovës. Kësaj radhe vetë presidenti amerikan Xhorxh Bush ka deklaruar se plani i Ahtisarit është zgjidhja më e mirë për Kosovën dhe për të gjithë Ballkanin. Madje, shefi i Shtëpisë së Bardhë pranoi në mënyrë jo të drejtpërdrejtë se nuk do të ketë ndarje të Kosovës, pasi pohoi se kufijtë e shtetit të ri janë të përcaktuar qartë. “ E dimë se është një çështje e vështirë, por Shtetet e Bashkuara e mbështesin pavarësinë e mbikëqyrur. Ne besojmë në shoqëritë e lira dhe besojmë se kjo do të çojë në paqe. Kufijtë e Kosovës tashmë janë të përcaktuara qartë. Është ndryshuar vetëm lloji i qeverisjes. Qëndrimi ynë rreth kësaj radhe është më se i qartë”, theksoi presidenti amerikan pas takimit me kryeministrin e Çekisë, Miroslav Topolanek. Duke hedhur poshtë pyetjen me konstatimin se Amerika po i ndryshon kufijtë e Evropës, presidenti Bush tha nuk ka pasur ndryshim kufijsh. Presidenti Bush ka theksuar se si pasojë e luftës që është zhvilluar gjatë viteve të pushtetit të Sllobodan Millosheviçit, në Kombet e Bashkuara u promovua plani i Ahtisarit për pavarësi të mbikëqyrur të Kosovës. Bush shtoi se Uashingtoni pret që Kosova e pavarur të respektojë të drejtat e të gjitha pakicave brenda kufijve të saj. Të njëjtën deklaratë, pra që nuk do të ketë ndarje të Kosovës, bëri dje edhe përfaqësuesi special për Kosovën, Piter Feith, gjatë mbledhjes së parë të Grupit Ndërkombëtar të Drejtimit (ISG) në Vjenë. Ky grup i krijuar vetëm pak ditë më parë, është një organizëm i cili do të mbikëqyrë zbatimin e planit “Ahtisari” nga institucionet kosovare. “Ndarja as nuk është parashikuar dhe as nuk është qëllimi i këtij grupi. Roli im do të jetë të siguroj garantimin e të gjitha të drejtave dhe mundësive të jetesës për të gjithë grupet, e veçanërisht për komunitetin serb”, tha diplomati holandez, duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve në një konferencë për shtyp pas takimit të ISG-së. Ai shtoi se Grupi Ndërkombëtar i Drejtimit ka marrë për këtë mbështetjen e nevojshme nga udhëheqësit e Kosovës. Feith theksoi se ISG-ja nuk do të lejojë as dhunën dhe as krijimin e ndonjë institucioni paralel sigurie në territorin e Kosovës. Ky grup do të mbikëqyrë të gjithë aktivitetet nga jashtë në shtetin më të ri evropian. Qëllimi është zbatimi i propozimeve të parashtruara një vit më parë nga ndërmjetësuesi i OKB-së, Marti Ahtisari. Në propozimin e tij është parashikuar ndërtimi i një shteti të pavarur demokratik të Kosovës, me të drejta të veçanta për minoritetin serb. Ky forum i ri do të drejtohet nga i ngarkuari i BE-së për Kosovën, diplomati holandez Piter Feith, dhe do të zëvendësojë Grupin e Kontaktit që ekzistonte deri më sot për Kosovën, i përbërë nga SHBA, Franca, Gjermania, Italia, Britania e Madhe dhe Rusia. Vendet pjesëmarrëse në ISG: nga BE-ja dhe NATO-ja, si dhe Zvicra, Finlanda dhe Japonia, nënvizuan se duan të mbështesin zhvillimin e Kosovës drejt një shteti multietnik dhe demokratik.