E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vrasje për fajde

Moskthimi i parave të dhëna me fajde, dyshohet se ka qenë shkaku që në Prizren u vra Burim Shabani (22). Policia dyshon se këtë vepër e ka kryer Nezir Kryeziu (51) nga Suhareka. Në incident, përveç të dyshuarit Kryeziu, janë plagosur edhe babai i viktimës, Xhaviti, si dhe Ibrahim Ahmetaj. Nga Jeton Musliu më 03 shkurt 2011 në ora 08:20

Mosmarrëveshja në dukje e thjeshtë, ka përfunduar me një vrasje dhe plagosje të trefishtë. Shkas dyshohet se kanë qenë paratë e dhëna me fajde.

Në fakt, dhënia e parave me fajde, bazuar në ligjet e vendit, është veprim ilegal dhe vepër penale, pavarësisht se kjo fjalë nuk është saktësisht e përmendur në Kodin Penal të Kosovës.

Megjithëkëtë, tash për tash, policia dyshon se ky incident i rëndë ka ndodhur pikërisht për shkak të fajdeve.

Kështu, mosmarrëveshja në një zyrë të vogël, Qendrën Tregtare në Prizren, e cila ndodhet te Tregu i Gjelbër, ka degjeneruar në vrasje e plagosje.

Nga plumbat e shkrepur, ka mbetur i vdekur në vend, Burim Shabani nga Prizreni, kurse është plagosur edhe babai i tij, Xhavit Shabani.

Burime të Expressit nga policia në Prizren, tregojnë se Burimi 22-vjeçar, së bashku me babanë e tij, Xhavitin, ndodheshin brenda në lokal.

Në këtë zyrë, ata merreshin me çështje që kanë të bëjnë me shitblerje të patundshmërive.

Zyrtarë të policisë shpjegojnë për Express se rreth orës 11 e 25 minuta, në lokal ka shkuar Nezir Kryeziu nga Suhareka, i dyshuar si personi që ka kryer veprën.

Sipas hetimeve të para të policisë, mosmarrëveshja ka arritur deri në atë pikë, sa Neziri 51-vjeçar ka shkrehur armën e tij, meqë nuk ka mundur të merret vesh me babë e bir, për paratë borxh me fajde që ata i kishin.

Kështu, nga shkrepja e armës, që ende nuk dihet saktë se si ka ndodhur në atë moment, ka mbetur i vdekur Burim Shabani, kurse janë plagosur Xhavit Shabani, i dyshuari Nezir Kryeziu si dhe një person i tretë, Ibrahim Ahmetaj.

Në lidhje me Ibrahim Ahmetajn, personin e tretë të plagosur, hetues nga policia në Prizren tregojnë se ende nuk e kanë qartësuar nëse ai ndodhej si ndërmjetës në dhënien-marrjen e parave me fajde, apo ka qenë kalimtar i rastit.

Por krejt çfarë konfirmon policia në Prizren, nën kushtet e anonimiteti, sepse hetimet ende janë duke vazhduar, është fakti se Nezir Kryeziu, i arrestuari si i dyshuar për vrasje në këtë rast, është i njohur edhe më herët për organet e rendit.

Ky person, sipas policisë, ka qenë i arrestuar edhe më parë në lidhje me dyshimin se ka dhënë para me fajde, që bazuar në nenin 270 të Kodit të Penal të Kosovës (KPK), është e vepër penale.

Në këtë nen që flet për “Kontraktimin e përfitimit joproporcional” saktësisht thuhet se “kushdo që në emër të vet ose në emër të personit tjetër merr ose negocion haptas përfitim joproporcional për shërbimin që ia kryen personit tjetër, duke e shfrytëzuar gjendjen e vështirë financiare, kushtet e rënda të banimit, mjerimin, mospërvojën apo paaftësinë e gjykimit të atij personi, dënohet me gjobë apo me burgim deri në tri vjet”.

Por meqë në këtë rast ka ndodhur vrasje dhe plagosje e personave, atëherë neni 161 i Kodit Penal të Kosovës, që flet për “kanosjen”, e rregullon pak a shumë këtë çështje.

“Kushdo që seriozisht e kanos personin tjetër se do ta dëmtojë me qëllim të frikësimit ose të shkaktimit të ankthit te personi i tillë, dënohet me gjobë apo me burgim deri në gjashtë muaj”, thuhen në pikën e parë të këtij neni.

Por Hazir Berisha, zëdhënës i Policisë së Kosovës për rajonin e Prizrenit, nuk jep shumë detaje në lidhje me këtë rast.

Pasi konfirmon vendin se ku ka ndodhur akti, vrasjen e një personi dhe plagosjen e tre të tjerëve, Berisha thotë se ata janë dërguar në spitalin rajonal për trajtim dhe sipas mjekëve, jeta e tyre është jashtë rrezikut.

“Që të tretë janë nën mbikëqyrje policore. Hetues policorë, Krimteknika, kryeprokurori, një prokuror, drejtori rajonal i policisë dhe mjekoligjorët kanë dalë në vendin e ngjarjes”, thotë Berisha për Express.

Ai konfirmon se në vendin e ngjarjes janë sekuestruar dy armë të kalibrit të vogël për të cilat dyshohet se janë përdorur në këtë rast.

“Motivi i incidentit ende nuk dihet, por dyshohet të jenë në pyetje borxhet dhe fajdetë e pazgjidhura. Në vendin e ngjarjes janë sekuestruar dy armë të kalibrit të vogël, për të cilat dyshohet se janë përdorur në rast”, tha zëdhënësi Hazir Berisha.

Ky nuk është rasti i parë që ndodhin akte të tilla për shkak të parave me fajde. Sipas Policisë, prej të gjitha rajoneve të Kosovës, Prizreni kryeson listën e tyre me persona që dyshohet se merren me këtë veprimtari ilegale.

KPK
Neni 161 që flet për kanosje, pika 2 e tij thotë se, “Kushdo që seriozisht i kanoset personit tjetër se do ta privojë nga jeta ose se do t’i shkaktojë dëmtim të rëndë trupor, se do ta rrëmbejë ose privojë nga liria, se do ta dëmtojë me
armë zjarri, me shpërthim ose me mjete të tjera të rrezikshme, dënohet me gjobë apo me
burgim deri në një vit“.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›