Që Teuta të mos vuajë, sulmi të shënojë më shumë
I dënueshëm gjesti i Stafës. Sa për objektivat, mund të them se ato nuk ndryshojnë: parësore është një vend në zonën UEFA
Jam i kënaqur deri tani nga ekipi, por pres më shumë, pasi jam i bindur që kemi mundësi. Kështu shprehet presidenti i Teutës, Edmond Hasanbelliu, i cili ka komentuar ecurinë e deritanishme të skuadrës së tij, që ndodhet në krye të klasifikimit bashkë me Tiranën.
Pa dyshim që jam i kënaqur nga ecuria e skuadrës në këtë fillim kampionati. Teuta, besoj janë të gjithë në një mendje me mua, ndodhet me meritë në krye të klasifikimit. Komplimentet e mia shkojnë në adresë të të gjithë faktorëve që përbëjnë Teutën, që nga stafi teknik dhe deri te lojtari më i fundit. Dua të nënvizoj faktin se trajneri Lika e vendos mjaft mirë skuadrën në fushë dhe dihet tashmë që kemi një armë të fortë, përsa i përket taktikës.
Por unë këmbëngul se kemi mundësi për më shumë, sepse, nëse do të shënosh vetëm nga një gol për ndeshje, nuk ke garanci se mund ta sigurosh fitoren. Mbetesh i frustruar deri në minutën e fundit dhe në këtë mënyrë skuadra vuan. Ndaj pres më shumë, sidomos nga sulmi, sepse po realizon pak. Nëse ky repart shënon më tepër se një gol për ndeshje, skuadra nuk vuan tërë lojës, por e administron më me qetësi rezultatin. Megjithatë, siç e thashë, në vija të përgjithshme jam i kënaqur nga skuadra, e cila ka gabuar vetëm në Shkodër.
Por futbolli kështu është: diku edhe mund të gabosh, e rëndësishme është bindja për të dhënë maksimumin dhe për ta përballuar me sukses konkurrencën shumë të fortë në këtë kampionat. Teuta ka objektiva seriozë në këtë edicion, gjë të cilën po e tregon në fushë. Mundën brenda në shtëpi Tiranën, çka dëshmon se mund të fitojmë ndaj çdo kundërshtari.
Djemtë po punojnë shumë dhe e rëndësishme është se në skuadër nuk ka eufori. Nuk ka vend për tu vetëkënaqur në një garë kaq të fortë, ku skuadrat janë të ngjeshura me pikë dhe një gabim i vetëm të zbret disa shkallë në klasifikim. Prandaj, ndeshjet duhen marrë një nga një, duke qëndruar me këmbë në tokë. Sa për objektivat, mund të them se ato nuk ndryshojnë: parësore është një vend në zonën UEFA.
Gjesti dhe dënimi i Stafës Tepër i ashpër ka qenë presidenti Hasanbelliu lidhur me gjestin e mbrojtësit Stafa, i cili ka pështyrë Sozën e Bylisit. Hasanbelliu shprehet se Teuta është një skuadër që ka përparësi absolute disiplinën. Ai i Stafës është një gjest antisportiv, krejtësisht i papranueshëm për klubin e Teutës.
Jam shumë dakord me dënimin e Komisionit të Disiplinës, madje mund të shtoj se ne si klub do ta dënojmë këtë lojtar me një gjobë financiare mjaft të rëndë. Me këtë ndëshkim duam tu tregojmë të gjithë futbollistëve të klubit tonë se nuk do të tolerojmë gjëra të tilla.
Mungesa e disiplinës dhe gjeste të tilla do të ndëshkohen maksimalisht nga klubi ynë, që i konsideron të patolerueshme veprimet që thyejnë disiplinën në ndeshje, por edhe jashtë saj. Nga ana e tij Stafa u ka kërkuar falje tifozërisë durrsake dhe drejtuesve të klubit, duke thënë se ishte provokuar vazhdimisht nga Soza në atë ndeshje dhe se në gjaknxhetësi e sipër kishte bërë atë veprim, të cilin ia ktheu me të njëjtën monedhë edhe Soza.