E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ministri i Ekonomisë, Prifti, inspekton TEC-in e Vlorës

Ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, zoti Dritan Prifti, së bashku me zv.ministrin Leonard Beqiraj inspektuan dje dy nga veprat industriale më të mëdha në vend, Petrolifera Italo-Albanese dhe TEC, të konkretizuara në bregdetin perëndimor të qytetit të Vlorës. Ministri Prifti shprehu vlerësimet e tij ndaj këtyre investimeve, si vlera jo vetëm ekonomike, por edhe në përputhje me standardet më të mira ndërkombëtare. "Të dyja këto vepra garantojnë jo vetëm zhvillimin ekonomik, por edhe social të vendit, duke krijuar një mjedis miqësor për llogari të biznesit, për banorët përreth, si dhe për shtetin shqiptar, duke garantuar dhe lehtësuar detyrimet fiskale të klientëve, duke ulur koston administrative për shtetin", tha ministri. Gjithashtu, Prifti e konsideroi terminalin si një nga më modernët në pellgun e Mesdheut, gjë që do të mundësojë tërheqjen e kompanive më të njohura në Europë në fushën e tregtimit të karburanteve. Ndërkohë që, mbas 30 vitesh vihet në funksion TEC-i i Vlorës, duke rritur kapacitetet prodhuese të energjisë në vlerën 8% të prodhimit total vendas. Një investim mbi 130 milionë euro, i financuar nga Banka Botërore dhe BERZH-i, i cili do të ndikojë direkt edhe në përmirësimin dhe zhvillimin e turizmit në vend. Gjatë takimeve, ministri u ofroi përfaqësuesve mbështetjen e tij për problemet apo pengesat që mund të hasen gjatë menaxhimit të këtyre projekteve, duke u lehtësuar atyre burokraci të panevojshme. I shoqëruar nga drejtues të Korporatës Elektroenergjetike Shqiptare, Prifti është njohur me detaje të projektit, kapacitetin dhe afatet se kur kjo vepër do të vihet tërësisht në eficensë për tregun. Tanimë janë pak gjëra që duhen mbyllur, tha Prifti, por më vjen mirë që shoh nga afër këtë vepër, për të cilën qysh në vitin 2001 kam qenë ndër të parët që ka hyrë në negociata. Kërkohet rreth një muaj kohë që kjo vepër të jetë tërësisht komerciale, pra të prodhojë dhe të hedhë në treg energji. Fillimi i muajit nëntor, theksoi ai, do të jetë muaji që do të shënojë edhe fillimin normal të punës së këtij TEC-i, periudhë kjo që rrit edhe nevojën për energji të vendit. Më tej, Prifti iu përgjigj interesit të gazetarëve lidhur me furnizimin me energji të vendit. "Gjatë katërvjeçarit të ardhshëm, vendi ynë nuk do të ketë asnjë mungesë apo kufizim energjie. Janë marrë të gjitha masat që furnizimi me energji të jetë normal dhe i plotë për mbarë vendin", premtoi ministri Prifti.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›