E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tatimet, urdhër bllokimi për 4255 llogari bankare

Për t‘ia arritur qëllimit të ligjit që përcakton veprimet për të mbledhur detyrimet e papaguara të biznesit, organet tatimore kanë provuar një sërë mjetesh të ndryshme, deri në bllokimin e pasurisë në bankë. Gazeta "Shqip" zbulon të tjera detaje nga puna e bërë gjatë vitit 2008, ku nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatim-Taksave doli urdhri për bllokimin e 4255 llogarive bankare, me synim mbledhjeve e detyrimeve që bizneset nuk i kishin shlyer. Pavarësisht aksionit të madh, mësohet se rezultati ka qenë jo i pritshëm. Nga i gjithë totali i pasurisë në bankë, prej rreth 3 miliardë lekësh, tatimet kanë mundur të mbledhin vetëm 183 milionë lekë. Aksionet e kryera rezultuan me sukses vetëm në 812 raste (urdhra bllokim llogarie), ose rreth 19 për qind e totalit të planit. Megjithatë, puna vijon më tej me lëshimin e urdhrave të tjerë, kësaj here bllokim të aktivitetit privat në 1987 biznese, me një vlerë rreth 582 milionë lekë. Edhe këtu nuk u arrit të paktën gjysma e planit, pasi tatimet mblodhën vetëm 60 milionë lekë, ose 6 për qind të vlerës së totalit. Po gjatë vitit 2008 nuk kanë munguar rastet e kallëzimit të biznesit në prokurori, për 73 biznese me vlerë gati 508 milionë lekë. Në këtë pikë i mbetej prokurorisë të vepronte, e cila solli rezultat në favor të tatimeve vetëm për 16 raste. Për këto dhe të tjera raste, KLSH ka ngritur një sërë masash dhe rekomandime.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›