E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meta: Ankimimi i PS është i nxituar. Transparenca? Rama le të vijë në ministri

Zëvendëskryeministri dhe njëkohësisht ministri i Jashtëm, Ilir Meta, reagoi pas paralajmërimit të opozitës për të çuar në Gjykatën Kushtetuese marrëveshjen e ndarjes së ujërave midis Greqisë dhe Shqipërisë. Duke iu përgjigjur interesit të medias, ministri i Jashtëm, Meta, e ka cilësuar të nxituar vendimin e PS-së për të çuar në Gjykatën Kushtetuese marrëveshjen e Shqipërisë dhe Greqisë për caktimin e kufijve detarë. Meta ka theksuar se nuk ka asnjë nxitim të Parlamentit për të ratifikuar marrëveshjen dhe se çdo kush që ka ngritur shqetësime apo pretendime mund t‘i verifikojë ato duke ndjekur rrugën institucionale. Për Metën, dyert e Ministrisë së Jashtme janë të hapura për këdo që ka interes të informohet. "Përpjekja për të instrumentalizuar këtë debat është tërësisht e sforcuar, pasi nuk ka asnjë nxitim për të bërë ratifikimin, aq më tepër që ai do të ndodhi në Parlament dhe aq më shumë që ne e kemi premtuar se gjithçka do të bëhet në mënyrën më transparente. Pra, ky nxitim është i pakuptueshëm. Ne kemi qenë dhe jemi të hapur. Unë e mirëpres kryetarin e PS-së, Edi Rama, në çdo moment në Ministrinë e Jashtme dhe ai mund të takohet me të gjithë ekspertët që janë marrë me këtë çështje", tha Meta. Ai shprehu bindjen që edhe ministri Imami të njëjtën gjë do ta bënte me shumë kënaqësi në Ministrinë e Mbrojtjes, megjithatë është e drejtë e tij për të marrë nisma të tilla. Aktualisht, Kuvendi nuk e ka në rend të ditës miratimin e kësaj marrëveshje. Për tre javët në vazhdim, kjo marrëveshje nuk do të jetë pjesë e kalendarit të punimeve të Kuvendit dhe ky vendim është marrë në konferencën e kryetarëve. Pavarësisht se Komisioni i Ligjeve e ka diskutuar dhe miratuar nen për nen dhe më pas në tërësi marrëveshjen me shtetin fqinj, duke e kaluar për miratim në sallën e Kuvendit. Por, duke parë që kjo marrëveshje është bërë objekt i madh diskutimi në media dhe ka shkaktuar edhe reagimin e ashpër të opozitës, mazhoranca ka vendosur që të mos nxitohet me miratimin e saj, pa u njohur të gjithë ata që kanë vërejtje dhe kundërshti me marrëveshjen nen për nen. Prej disa ditësh, zyrtarë të Ministrisë së Jashtme dhe Ministrisë së Mbrojtjes kanë nisur të dalin publikisht, duke sqaruar marrëveshjen në çdo detaj dhe duke i kujtuar opinionit publik se shtetit grek nuk i është lënë asnjë metër nga kufiri që i takon shtetit tonë. Pretendim ky i qeverisë, i cili është kundërshtuar nga opozita dhe grupet e interesit, që mendojnë se me këtë marrëveshje Shqipëria i ka falur Greqisë një sipërfaqe të konsiderueshme ujore në detin Jonian. Aktualisht, marrëveshja po qëndron në Kuvend, duke pritur që të sqarohen të gjithë për të kaluar më pas për miratim në seancë parlamentare.

E.Gjura

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›