E Shtunë, 31 Tetor 2026

Të majtë e të djathtë, debate në KRRT-në e Vlorës

Mbledhja e KRRT-së së Bashkisë së Vlorës nuk ka kaluar pa tension dje, ndërkohë që përplasja ka ardhur ndërmjet kryebashkiakut Gjika, që është kryetari i KRRT-së dhe përfaqësuesve të Prefekturës së Vlorës. Që në fillim, këta të fundit kanë reaguar mbi vonesën e mbledhjes së KRRT-së. Sipas tyre, ka rreth 8 muaj që mbledhjet nuk janë zhvilluar, në një kohë që ato duhet të mblidheshin një herë në muaj. Sipas tyre, këto vonesa bënin që materialet të ishin grumbulluar dhe duke qenë të tilla kanë kërkuar deri anulimin e mbledhjes. Gjika e ka shpjeguar mosmbledhjen me vonesat e krijuara nga angazhimet në procedurat zgjedhore. Gjithsesi, Gjika pohoi se ky ishte thjesht një pretendim për t‘u larguar nga mbledhja e KRRT-së, qëndrim ky që po shihet nga demokratët edhe në mbledhjet e këshillit bashkiak. Me cilësinë e kryetarit të Këshillit të Rregullimit të Territorit të Bashkisë së Vlorës, Gjika ka kërkuar nga anëtarët që të mos e politizonin mbledhjen, duke iu referuar këtu debateve të shkëmbyera para fillimit të mbledhjes.
Më pas, përfaqësuesit e prefekturës kanë deklaruar se nga ana e KRRT-së janë shkelur disa herë rregullat teknike të nevojshme, siç janë ato të mosrespektimit të distancave, apo zvogëlimit të sipërfaqeve të gjelbëruara dhe shtimin e kateve, pas miratimit të lejeve të ndërtimit.
Nga ana e Niko Dumanit, shefit të Agjencisë Rajonale të Mjedisit, janë ngritur gjithashtu pretendimet se Vlora po përfshihej nga ndotjet urbane, shenjë kjo që ishte shqetësim për ecurinë e qytetit. Gjithsesi, pas akuzave për ndotjen, Gjika ka kaluar direkt me akuzën për Dumanin, se në një kohë që ai ishte i shqetësuar për ndotjet, duke ngritur këtë shqetësim qytetar, ai kishte heshtur në lidhje me një ndotje që kërcënon qytetin, atë të krijuar nga petrolifera dhe TEC-i.
Në mbledhjen e djeshme të KRRT-së së Vlorës do të diskutoheshin 20 kërkesa për objekte publike dhe investime të bashkisë, kryesisht rikonstruksione rrugësh, përfshi edhe akse kryesore, si dhe blloqe banimi. Po kështu, duhet të miratoheshin 32 detyra projektimi dhe studime urbanistike për subjekte private, si dhe të tjera leje ndërtimi e miratim sheshesh ndërtimi.
Tensioni ka qenë i dukshëm që me diskutimin e pikës së parë të përcaktuar në rendin e ditës, atë të detyrës së projektimit për rikonstruksionin e rrugës Skelë - Uji i Ftohtë. Përfaqësuesit e prefekturës kanë këmbëngulur se po dilet jashtë planit rregullues të miratuar për qytetin e Vlorës, pretendim ky i hedhur poshtë nga anëtarët e tjerë.

m.m.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›