E Shtunë, 31 Tetor 2026

Keri ka idhull K.Ronaldon, por do Greqinë



Florenc Keri, talenti i ri shqiptar, i cili së fundi është blerë nga Bajerni i Munihut, ka dhënë një intervistë të gjatë për një faqe greke. Beratasi 17-vjeçar, -14 gola dhe 22 asistë gjatë këtij sezoni me Veria U-19, - do të ndjekë “shembullin e keq” të tiranasit Gjergji Kones, i cili në Greqi ka ndërruar emrin në Panajot Kone, himarjotit Sotir Nini (Sotiris Ninis), Elin Dhimuço (Dhimuços). Lojtari thotë: “Ë vërteta është se kishin kërkuar me Kombëtaren shqiptare, por preferenca ime, është që sapo të marr pasaportën greke, të luaj me Kombëtaren e të Rinjve të Greqisë”.
Keri është djalë me shije. Idhulli i tij nuk është askush tjetër, por lojtari më i mirë i kampionatit anglez. “Unë jam fans i Kristiano Ronaldos. Është idhulli im. Dikur bëja tifozllëk edhe për Barcelonën e Mançesterin, por tani bëj vetëm për skuadrën angleze”. Keri flet edhe për veten e familjen e tij. “Linda në Berat të Shqipërisë, më 17 nëntor 1990. Erdha në moshën dy vjeç në Greqi dhe fillova të luaj futboll qysh i vogël. Kur isha shtatë vjeç hyra në ekipin e moshave të Magnisiasko dhe pas gjashtë vitesh u bëra pjesë e ekipit të parë me të rriturit. Atëherë luanim në A’ Topiko (në kampionatin lokal). Mënjëherë shënova gol. Atje qëndrova deri vjet, dhe nga fillimi i vitit jam të Veria”. Keri, i kërkuar dhe nga Arsenali thotë: “Më erdhën oferta nga Olimpiiakos, Panathinaiko, AEK, por dhe nga Arsenali përmes Tomas Kost. Unë preferova të shkoj te Veria, pasi atje më dhanë para, ndërkohë që të tjerët nuk më kishin folur për këtë temë”. Lori tregon edhe në lidhje me propozimin e Bajernit të Munihut. “Nuk di shumë gjëra, pasi me to merret manaxheri im. Ai ka folur me to. E vetmja gjë që di, është fakti se ata më panë në ndeshjen kundër Iraklisit në Selanik në kampionatin e të rinjve në Super Ligë. Iu pëlqeva dhe që nga ai moment kërkuan edhe mendimin tim. Erdhën dhe tre-katër herë të tjera për të më parë. Do të doja të shkoja e të luaja me Bajernin”.
Keri jeton aktualisht larg prindërve të tij dhe gjendet i vetëm në Veria, ku jeton në një shtëpi të marrë me qera nga ekipi. Prindërit e tij gjenden në Volos. Babai i tij, Vangjeli, është shofer dalikash, ndërsa nëna e tij Maria merret me punët e shtëpisë. Motra e tij, Elsa, edhe pse është vetëm 22 vjeçe, është e martuar. Prindërit e tij e pëlqejnë një lëvizje në Gjermani. Mesfushori sulmues Keri thotë: “Babait tim i pëlqen shumë futbolli, është një tifoz i çmendur”.

Cana beson: “Champions, jo e pamundur”

Edhe pse përkohësisht Olimpiku i Marsejës e ka humbur vendin e tretë në javën e fundit, kapiteni shqiptar Lorik Cana beson se ekipi i tij i ka të gjitha shanset për t’u kualifikuar në Ligën e Kampioneve për sezonin e ardhshëm. Cana ka në Francë një profil të fortë sportiv dhe është i pranishëm thuajse në të gjitha mediat sportiv të vendit transalpin. Kapiteni i Marsejës beson: “Ne kemi humbur një takim të rëndësishëm për kualifikueset e Ligës së Kampioneve. Por, janë akoma dhe dy ndeshje në kampionat dhe janë gjashtë pikë në lojë. Ne do t’i luajmë kartat tona deri në fund. Vendi i tretë është i vështirë, por jo i pamundur”, - deklaroi lojtari i Kombëtares shqiptare për “But Marseille”. Kur kanë mbetur edhe dy javë nga përfundimi i sezonit, Marseja ndodhet në vendin e katërt me 58 pikë, dy më pak se Nansi (60). Marseja do të luajë me Mansin në transfertë dhe Strasburgun në shtëpi.

Toski mërzitet, humbet ndeshjen me Shalken

Ylli i ri futbollit shqiptar në Gjermani, Faton Toski, i cili luan me Eintrahtin e Frankfurtit do të humbasë pikërisht një përballje shumë të çmuar për të, atë së shtunës kundër Shalke 04. 21-vjeçari Toski, autor i dy golave në Bundesligë gjatë këtij sezoni (13 ndeshje) shënoi pikërisht golin e tij të parë në kampionatin maksimal gjerman pikërisht kundër Shalkes, në barazimin 2-2. Toski, i cili preferohet edhe nga trajneri holandez i Shqipërisë, Ari Han, pësoi një dëmtim në ndeshjen e fundit kundër Shtutgartit, të humbur 4-1, por shqiptari, i cili ka dhe pasaportë gjermane dha asistin e golit të vetëm të ekipit të tij të realizuar nga Amantidis.

9 Maj 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›