Lika: “Sfida me Vllazninë e vështirë”
Trajneri i Partizanit, Hasan Lika, e cilësoi si jetike në luftën për titull fitoren ndaj Vllaznisë në javën e 31-të Kampionatit Shqiptar. Skuadra shkodrane fitoi të mërkurën Kupën e Shqipërisë ndaj Tiranës (2-0), që nga ana e saj pësoi humbjen e katërt rresht midis kupës dhe kampionatit. Ish-trajneri i Besës pohoi se sfida me Vllazninë në kryeqytet është e vështirë. “Edhe pse vijmë pas një fitoreje në transfertë me Besën, jam i bindur se na duhet të përgatitemi në mënyrën më të mirë për të përballuar një Vllazni shumë të motivuar. Duhet të jemi shumë të kujdesshëm”.
Nga përfundimi i Kampionatit kanë mbetur edhe tri javë për t’u luajtur dhe Partizani ndodhet dy pikë larg kryesueses Dinamo, që do të ndeshet në fundjavë me Besën e Kavajës dhe një javë më pas në Shkodër me Vllazninë. Të kuqve u duhet patjetër fitorja me Vllazninë, për të përgatitur në një klimë më të qetë ndeshjen pasardhëse me Skënderbeun e vendit të fundit dhe të rrëzuar në Kategorinë e Parë. Dy skuadrat kryesuese të kampionatit maksimal shqiptar, Dinamo e Partizani do të përballen me njëra-tjetrën në javën e 33-të, njëherësh edhe e fundit e kampionatit, që do të jepte edhe verdiktin përfundimtar, ku Partizani është në pritje të titullit pas 15 vjetësh, ndërsa Dinamo nuk e shijon atë që nga viti 2002. Së fundi është hedhur edhe ideja e gjykimit të takimit nga një gjyqtar i huaj, parë faktin se dhe finalja e Kupës së Shqipërisë, Vllaznia-Tirana u arbitrua nga gjermani Babak Rafati.
Muzaka lë përshtypje të mira te Nantë
Mesfushori 23-vjeçar i Partizanit, Gjergji Muzaka, i cili u testua për pak ditë te Nantë në Francë, duket se ka lënë përshtypje të mirë të skuadra franceze e Kategorisë së Dytë, por që sezonin e ardhshëm do të luajë në Ligën e Parë. Kështu, për edicionin 2008-2009 do të kemi dy lojtarë shqiptarë në kampionatin e pestë më të fortë në botë, pasi te Marseja luan Lorik Cana. Në fakt, te klubi i Nantës së bashku me Gjergji Muzakën u provua edhe sulmuesi maroken 23-vjeçar, Mousine Iajoue si dhe mesfushori nga Bregu i Fildishtë, Marco Ne. “Janë lojtarë me trajektore të pabesueshme. Na i propozuan kontaktet tona’, - thotë një zyrtar i klubit.
Java 31, “xhaketat” e sfidave
Mentor Sopjani do të jetë arbitri kryesor i ndeshjes Partizani-Vllaznia, ndërsa asitentë të tij në fushën e lojës do të jenë Mustafaraj dhe Elezi. Emri i Sopjanit është përcaktuar pas shortit të hedhur drejtpërdrejt në televizionin ALSAT.
Ndërkohë që pas konsensusit mes dy klubeve, Sokol Jareci do të arbitrojë ndeshjen tjetër të rëndësishme të javës së 31-të të Superligës, Dinamo-Besa. Anësorë në këtë takim do të jenë Avdo dhe Pregja. Ndeshja Besëlidhja-Tirana do të kete kryesor Erjon Dobin, i cili do të asistohet nga Lamçe dhe Salaj. Arbitër i sfidës Kastrioti-Shkumbini do të jetë Tanush Latifi, ndërsa anësore në fushën e lojës janë Guçe dhe Mesi. Teuta-Elbasani do të gjykohet nga Sazan Velcani, që do të asistohet nga dyshja Mali-Koreshi. Sokol Çekaj është përcaktuar kryesor i ndeshjes Skënderbeu-Flamurtari, ndërsa anësorë do të jenë Zeka dhe Goxhja.
KATEGORIA E PARË
JAVA 31
PARTIZANI-VLLAZNIA
Sopjani, Mustafaraj-Elezi
DINAMO-BESA
Jareci, Avdo-Pregja
BESËLIDHJA-TIRANA
Dobi, Lamçe-Salaj
KASTRIOTI-SHKUMBINI
Latifi, Guçe-Mesi
TEUTA-ELBASANI
Velçani, Mali-Koreshi
SKËNDERBEU-FLAMURTARI
Çekaj, Zeka-Goxhja
9 Maj 2008