Kërkesa e Limajt për kamera në gjyq, e parealizueshme

Kërkesa publike e deputetit të Kuvendit të Kosovës, Fatmir Limaj, që seanca gjyqësore, ku ai dhe nëntë bashkëluftëtarët akuzohen për krime lufte, të transmetohet drejtpërsëdrejti në televizion, duket se është e realizueshme. Të paktën një gjë të tillë e ndalon Kodi i Procedurës Penale të Kosovës, përkatësisht neni 93 i këtij ligji, por njëkohësisht edhe praktikat e deritashme të gjyqësorit në Kosovë.
Fatmir Limaj, një kërkesë të tillë, e ka paraqitur publikisht ditën kur ndaj tij është konfirmuar aktakuza, ku si dhe nëntë shokët e tij të luftës, akuzohen për krime lufte, të kryera në Kleçkë gjatë luftës së fundit në Kosovë, raporton Zëri.
Limaj ka thënë se do të kërkojë që gjykimi ndaj tij dhe shokëve të tij të jetë drejtpërsëdrejti në televizion, në mënyrë që fajësia apo pafajësia që do të shpallet në fund ndaj tij, të shihet nga populli. Data e gjykimit ndaj Fatmir Limajt dhe të tjerëve ende nuk është caktuar, por një gjë e tillë pritet të ndodhë të premten kur do të jetë konfirmuar në tërësi aktakuza, e përpiluar nga prokurori i EULEX-it, Maurizio Salustro.
Ndërkohë gjykatësi i cili do të merret me çështjen Limaj do të jetë nga Misioni Evropian për Sundim të Ligjit, EULEX. “Në praktikat e deritashme nuk është aplikuar që gjykimet të ndiqen nga kamerat. Mirëpo, për kërkesa specifike, palët duhet të drejtohen gjyqtarit”, ka thënë të dielën zëdhënësi i EULEX-it, Nicholas Hawton.