E Shtunë, 31 Tetor 2026

Marrëveshjet, Tahiri: Bëmë veprimet e duhura

Zëvendëskryeministrja e vendit, kryenegociatorja Edita Tahiri, duke i vlerësuar shumë të rëndësishme marrëveshjet e arritura me Serbinë për njohjen e vulave doganore dhe kthimin e dokumenteve kadastrale, ka deklaruar se shteti serb me këtë akt e ka pranuar pavarësinë e Kosovës në fushën e doganave.

Në një intervistë për mediat kosovare Tahiri,  theksoi se me arritjen e këtyre marrëveshjeve, institucionet e Kosovës jo vetëm që kanë respektuar Kushtetutën, por edhe e kanë avancuar dhe fuqizuar interesin shtetëror dhe qytetar, duke shtuar se “gardianë” të respektimit të këtyre marrëveshjeve do të jetë Bashkimi Evropian dhe SHBA-ja.

“Marrëveshja për njohjen e vulave doganore ka një rëndësi shumë të madhe si në planin politik, ekonomik dhe në planin e bashkëpunimit rajonal. Me këtë marrëveshje praktikisht ka ndodhur njohja reciproke në mes të Republikës së Kosovës dhe asaj të Serbisë në fushën e doganave”, thotë Tahiri.

Ajo ka pranuar se marrëveshja për doganat është arritur në një atmosferë të tensionuar dhe kundërshtuese, për faktin se Serbia dhe kryenogicatori i saj, Borislav Stefanovic kanë ndërhyrë në mënyrë destruktive në Kosovë, në kohën kur Qeveria e Kosovës pati vendosur për masat e reciprocitetit.

Tahiri ka mohuar kategorikisht se Stefanovic ta ketë hapur temën për çështjen e veriut të Kosovës.

Në Bruksel javën e shkuar ka përfunduar raundi i radhës i dialogut Kosovë – Serbi. Bisedimet e së premtes, ndonëse në një atmosferë të tensionuar, kanë arritur të përfundojnë me dy marrëveshje, një për vulat doganore dhe për regjistrin kadastral. Sipas palëve pjesëmarrëse, zbatimi i marrëveshjes për vulat pritet të ndodhë shumë shpejt.

Kreu i delegacionit serb në bisedime, Borislav Stefanovic, tha se me njohjen e vulave, pritet që Kosova “brenda 7-10 ditësh të heqë embargon ndaj mallrave të Serbisë” dhe të lirojë mundësinë e qarkullimit të lirë të mallrave nga Serbia në, siç tha ai, “pjesën tjetër të territorit të Serbisë”.

Kryenegociatorja kosovare, Edita Tahiri, duke konfirmuar arritjen e marrëveshjes, tha se kjo e fundit do të thotë “heqje e embargos shumëvjeçare që Serbia u ka bërë mallrave të Kosovës”, në kundërshtim me, siç u shpreh, parimet e tregtisë së lirë në rajonin e CEFTA-s.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›