Kërkesa e PD: Si duhet të ndryshojë përzgjedhja e gjykatësve
Kushtetuesja nis shqyrtimin e kërkesës së PD për kriteret e përzgjedhjes së anëtarëve të dy gjykatave më të larta në vend
Gjykata Kushtetuese ka zhvilluar dje seancën gjyqësore, ku ka marrë në shqyrtim kërkesën e një grupi deputetësh demokratë për interpretimin e kompetencave të kreut të shtetit dhe Kuvendit të Shqipërisë, për sa i përket kritereve të përzgjedhjes dhe dhënies së pëlqimit të kandidatëve për gjyqtarë kushtetues dhe të lartë. Pala kërkuese u përfaqësua në këtë seancë vetëm nga deputeti Viktor Gumi, i cili është dhe nismëtari i vërtetë i saj, ndërsa si palë e interesuar ka qenë i pranishëm vetëm përfaqësuesi i Kuvendi. Kanë munguar në këtë proces gjyqësor përfaqësuesi i Presidentit dhe Këshillit të Ministrave, pavarësisht se ishin ftuar prej gjykatës për të qenë prezentë në të.
Gumi
I pari që ka parashtruar pretendimet e tij ka qenë Gumi, i cili renditi arsyet që e çuan atë dhe deputetët e tjerë firmëtarë në hartimin e kësaj kërkese, interpretimi i së cilës, sipas tij, do të bënte të mundur që legjislativi të kishte të qartë se çduhet të bënte me kandidaturat për gjyqtarë që gjenden të bllokuara. Fillimisht ai u ndal tek kriteret të cilat duhet të plotësojnë kandidatët, si dhe procedura që duhet të ndjekë kreu i shtetit në përzgjedhjen e tyre, duke vënë theksin tek nevoja për më shumë transparencë. “Transparenca në sytë e publikut dhe të të interesuarve është me një rëndësi themelore në proces, dhe siç u tha më lart, komponent me impakt të madh në pavarësinë gjyqësore. Gjykatësit duhet të emërohen vetëm në bazë të meritës dhe sipas kritereve të qarta dhe të njohura publikisht. Integriteti i kandidatit nuk duhet të ketë asnjë afiliacion politik që të kërcënojë, të ç’balancojë ose paragjykojë pavarësinë e tij”, - tha Gumi. Gjithashtu, ai ka vënë në dukje se gjykatës në këto dy gjykata duhet të zgjidhen njerëz me karakter të fortë, integritet moral të lartë dhe kurajo morale. Vendet e mëparshme apo aktuale të punësimit të kandidatit, sipas Gumit, duhet të tregojnë mungesën edhe të së metës më të vogël (paqortueshmëri) përsa i përket transparencës financiare, qëndrimin personal ndaj presionit politik/publik, ruajtjen e sekretit hetimor dhe gjyqësor etj. Ai gjithashtu ka evidentuar faktin se në funksion të një transparence më të lartë, dekreti i Presidentit të Republikës duhet të jetë i motivuar për arsyet e përzgjedhjes dhe plotësimin e kritereve nga kandidati për gjyqtar që i dërgohet Kuvendit. “Kërkesa për paraqitjen e kandidaturave, me qëllim përzgjedhjen, duhet të bëhet publike disa muaj përpara mbarimit të mandatit së bashku me listën e kritereve që duhet të plotësojnë kandidatët e interesuar. Gjithashtu në përfundim të periudhës kohore të aplikimit, lista e kandidatëve që kanë aplikuar duhet të bëhet publike dhe në kohën e duhur”, - tha Gumi.
Rotacioni
Një tjetër element që përbën kërkesën e paraqitur në Gjykatën Kushtetuese është edhe çështja e rotacionit të plotësimit të nëntëshes së Gjykatës Kushtetuese. Sipas Gumit, ligji “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese” nuk e sqaron këtë çështje, ndërsa mënyra sesi është zbatuar deri më tani krijon një problem shumë të madh, pasi në rast se 4 gjyqtarët kushtetues që janë bllokuar në Kuvend do të zgjidheshin këtë vit, atëherë asnjëherë dispozita kushtetuese, që një e treta e trupës gjykuese duhet të ripërtërihet çdo tre vjet, nuk do mund të realizohej asnjëherë. “Saktësimi i një praktike të tillë rotacioni, madje edhe urdhërimi i Kuvendit për të vijuar apo mosvijuar përfundimisht me shqyrtimin e kandidaturave, vlerësojmë se është pjesë e misionit kushtetues të Gjykatës Kushtetuese”, - tha Gumi, ndërsa në përgjigje të pyetjeve të gjykatësve ka bërë të ditur se “Një sërë faktorësh, aktorësh, situata politike nuk na mundëson të sigurojmë në çfarëdolloj kohe një situatë të tillë me 3/5, dhe për këtë arsye më logjike është ankimi në Kushtetutë për të na saktësuar kushtetuetshmërisht cilat janë rregullat”. Ndërkohë, përfaqësuesi i Kuvendit Lulëzim Lelçaj duke mbështetur pretendimet e Gumit, ka propozuar që për këtë çështje një zgjidhje mund të ishte ajo që gjyqtarëve që u ka mbaruar mandati të mund t’u zgjatej deri në një periudhë kohore sa të krijoheshin kushtet që zbatimi i ligjit, përsa i përket rotacionit të bëhej i mundshëm.