E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topi refuzon gjyqin e PD për kompetencat e tij për gjykatësit

SHKRUAN: Fejzi Braushi 22-12-2010 13:21

Presidenca nuk përfaqësohet në seancën e Gjykatës Kushtetuese për padinë e PD, në lidhje me kriteret e emërimit të Gjykatësve të lartë dhe Kushtetues. Ja letra për Bashkim Dedjen

Kreu i Shtetit ka mbetur i pakënaqur nga veprimi i shumicës qeverisëse, për të bllokuar zgjedhjen e kandidatëve të tij për në dy gjykatat më të rëndësishme në vend dhe për të kërkuar interpretimin e Gjykatës Kushtetuese, përsa i përket zbatimit të ligjit themeltar të shtetit, në lidhje me kriteret dhe rotacionin e përbërjes së tyre. Megjithëse deri më tani Presidenti ka hezituar të shprehet në mënyrë të drejtpërdrejtë, në lidhje me këtë debat, ai ka preferuar ta shprehë pakënaqësinë e tij nëpërmjet refuzimit që i ka bërë ftesës së Gjykatës Kushtetuese për të marrë pjesë në seancën gjyqësore që kjo e fundit ka hapur me kërkesën e një grupi deputetësh demokrat dhe të përfaqësuar nga Viktor Gumi. Nëpërmjet një letre që i ka nisur kreut të Gjykatës Kushtetuese, Presidenti ka bërë të ditur mospjesëmarrjen në këtë proces gjyqësor dhe në kundërshtim me shqetësimin që shprehin deputetët nismëtarë, përsa i përket përzgjedhjes së kandidatëve, ai e konsideron të kryer detyrimin e tij kushtetues.

Letra

Ka qenë vetë kreu i Gjykatës Kushtetuese, Bashkim Dede, ai që ka bërë të njohur dje gjatë seancës gjyqësore korrespondencën me presidentin dhe përgjigjen refuzuese, që ky i fundit kishte dhënë për të mos marrë pjesë në gjyq. Mospjesëmarrjen e përfaqësuesit të Presidentit, Dede e ka bërë të ditur që në çelje të seancës, ndërsa në mbyllje të saj ka lexuar edhe letrën e plotë që Presidenca kishte paraqitur në Gjykatë. Në letër Presidenca shprehej se dekretet e tij për emërimet në këto dy gjykata i kishte bërë sipas afateve të përcaktuara nga ligji. “Institucioni i Presidentit në shkresën që i ka dërguar Gjykatës Kushtetuese shprehet që kompetencat e Presidentit, në lidhje me emërimet në gjyqësor Kushtetuese dhe asaj të lartë zhvillohen sipas një periudhe që ka parashikuar për Presidentin”, - u shpreh Bashkim Dede, ndërsa lexoi letrën e dërguar nga presidenca. Më tej kreu i shtetit i bënte të ditur trupit gjykues se për dekretet që janë bllokuar në Kuvend ai ka kryer detyrimin e tij ligjor dhe se tashmë ato janë një problem i legjislativit. “Në këtë drejtim deri në vendim për marrjen ose jo të pëlqimit për dekretet e presidentit nga ana e Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, presidenti e quan të përmbushur funksionin e tij kushtetues. Përsa i përket plotësimit të vendeve vakante ata tashme janë një problem i Kuvendit”, - citoi Dede duke iu referuar letrës së Presidentit Topi.

Refuzimi

Nisur pikërisht nga një bindje e tillë, Presidenti në letrën e vet e ka konsideruar të panevojshme pjesëmarrjen e përfaqësuesit e tij në seancën gjyqësore, që deputetët demokrat kanë hapur në Gjykatën Kushtetuese. “Prandaj nuk do marrë pjesë në seancën për gjykimin e kërkesës për gjykim dhe duke shpresuar në besimin që ka për trupin Gjykatës Kushtetuese”, - shprehej numri një i shtetit në letrën e vet refuzuese ndaj kërkesës së gjykatës, për të qenë i pranishëm në këtë seancë gjyqësore, si palë e interesuar. Gati një muaj më parë, Kuvendi i Shqipërisë me nismë të një grupi deputetësh demokrat, bllokoi procedurën e dhënies së pëlqimit për katër kandidatura në Gjykatën Kushtetuese dhe tre kandidatura në Gjykatën e Lartë. Shkak u bë pikërisht një kërkesë tjetër e paraqitur nga disa deputetë të PD-së në Gjykatën Kushtetuese, për të interpretuar zbatimin e ligjit për procesin e përzgjedhjes, emërimit dhe dhënies së pëlqimit nga institucionet përgjegjëse për plotësimin e vendeve vakante në dy gjykatat më të larta në vend. Sipas nismëtarëve të kësaj kërkese në emërimin e këtyre gjyqtarëve, nuk është zbatuar kriteri i rotacionit për të emëruar 3 anëtarë në çdo tre vjet, siç e parashikon Kushtetuta për sa i përket formatimit të përbërjes së Gjykatës Kushtetuese.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›