Thika në aeroport dhe dëmtimi i pyjeve, akte terroriste
Komisioni i Ligjeve miraton pas debatesh të shumta ndryshimet në Kodin Penal që synojnë forcimin e luftës kundër terrorizmit
Ndryshimet në Kodin Penal për veprimet që kanë si qëllim terrorizimin përfshijnë në debat deputetët e mazhorancës në Komisionin e Ligjeve. Disa nga 19 pikat që pritet t’i shtohen Kodit Penal, e që kanë si qëllim forcimin e luftës kundër terrorizmit, janë kundërshtuar edhe nga deputetët e Partisë Demokratike, të cilët kërkuan shpjegime nga përfaqësuesja e Ministrisë së Drejtësisë, për formulimin e disa prej këtyre ndryshimeve. Deputeti Eduard Halimi kërkoi sqarime për të paktën tri pika të nenit tre, që i shtohet Kodit Penal, pasi sipas tij nuk janë të shprehura në mënyrën e duhur. Debati është përqendruar kryesisht në dy nga pikat e paraqitura për t’u shtuar në Kodin Penal, të cilat parashikojnë mbajtjen e thikës në ambientet e aeroportit civil, apo dhe dëmtimin e pronës publike në masë. “Pengmarrjen ose rrëmbimin e personit dhe kanosjen për të vrarë, për të dëmtuar ose për të vazhduar mbajtjen e tij peng” konsiderohet si akt terrorist. Pikërisht për këtë çështje deputeti Halimi kërkoi të shtohej një përkufizim që do ta lidhte këtë vepër me akte terroriste. Në përgjigje të kërkesës së Halimit, përfaqësuesja e Ministrisë së Drejtësisë, Marsida Xhaferllari, pranoi se të gjitha pikat e propozuara për ndryshim janë marrë nga aneksi i Konventës së Kombeve të Bashkuar, të ratifikuar nga vendi ynë në vitin 2002. Një tjetër çështje që solli debat mes deputetit Halimi dhe përfaqësueses së Ministrisë së Drejtësisë ishte dhe pika që parashikon si akt terrorist kryerjen e akteve të dhunës, duke përdorur çdo pajisje, substancë ose armë, kundër një personi në një aeroport të aviacionit civil ndërkombëtar, kur këto akte shkaktojnë ose mund të shkaktojnë dëmtime të rënda ose vdekjen e personave. Sipas Halmit, kjo pikë kërkon saktësim, pasi nuk mund të akuzohet për akt terrorist një person që sulmon me thikë kamarierin e restorantit apo më shumë se dy pers që ndodhet në ambientet e aeroportit. Çështja tjetër që u diskutua gjatë nga deputetet e Komisionit të Ligjeve kishte të bënte me cilësimin si akt terrorist të shkatërrimit të rëndë dhe me përmasa të mëdha të pronës publike, të infrastrukturës publike, të sistemit të transportit e the, duke rrezikuar jetën e personave. Në këtë pikë, palët ranë dakord që dhe shkatërrimi në mas i pyjeve, që mund të sjellë rrezik për jetën është akt terrorist. Pas debatesh të shumta, Komisioni i Ligjeve miratoi ndryshimet në Kodin Penal, duke synuar kështu të forcojë luftën kundër terrorizmit me një kuadër ligjor të kompletuar në përputhje dhe me konventat ndërkombëtare për luftën kundër terrorizmit.