Pacolli Raporti ka shkaktuar nje dem te madh per Kosoven
Behxhet Pacolli, kryetar i Aleancës Kosova e Re, thotë se raporti i Dick Marty-t i ka shkaktuar një dëm të pariparueshëm Kosovës dhe se reagimi i Prishtinës ka qenë më shumë emocional se sa profesional. Ai, në një intervistë për BBC, theksoi se “Dick Marty jeton vetëm 700 metra larg shtëpisë sime në Lugano dhe unë sapo kam ardhur këtu e kam parë se është një ambient krejtësisht tjetër këtu, kjo në raport me Kosovën. Shumë njerëz që unë i njoh e që jetojnë këtu, po na shikojnë disi me rezervë. Mund të them se ky raport ka shkaktuar një dëm jashtëzakonisht të madh”. Sipas kreut të AKR-së, ky është një raport i shëmtuar, i cili është bërë me pretendime të caktuara dhe me ndihmën e dikujt, tha ai.
Pacolli thotë se Dick Marty-n “e njoh shumë mirë. E njoh që nga vitet ‘80. Ai në Zvicër, më së paku, njihet si një njeri kontravers”. Reagimin e Prishtinës rreth akuzave të Marty-t ai i vlerëson si më shumë emocionale se sa profesionale.
“Ka pasur reagime emocionale dhe jo profesionale. Dihet që sot askush nuk lidhet me emocionet e askujt. “Unë them se është dashur të kishte një reagim profesional e unik dhe jo secili të flasë sipas tekave të veta. Dëmi është shkaktuar dhe ai është shumë i madh, sepse pala serbe këtë raport tashmë e ka përkthyer pothuaj në të gjitha gjuhët e mundshme dhe të njëjtin e ka shpërndarë në të gjitha vendet, të cilat akoma nuk e kanë njohur Kosovën. Ka munguar zëri i Prishtinës, ose ky zë nuk ka ardhur me intonacionin dhe intensitetin e duhur”. Pacolli, thekson më tej në intervistën e tij, se “Kosova duhet të bëjë një strategji dhe t’i kundërvihet këtij raporti në mënyrë profesionale”.