“Kërkesa e PS për ndryshimet kushtetuese është e pavend”

Jozefina Topalli, kryetare e Parlamentit
Mazhoranca s’do marrë në shqyrtim kërkesën e opozitës për ndryshime në Kushtetutë. Kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli e përforcon këtë qëndrim të shumicës parlamentare, në një prononcim për mediat. Topalli tha se nuk ka vend për një diskutim të tillë pasi Kushtetuta aktuale është konsensuale. “Lexoni dispozitat Kushtetuese për zgjedhjen e presidentit dhe do të gjeni se këto janë dispozita konsensuale. Pra, janë e kundërta e dispozitave bllokuese apo destruktive. Dispozita e zgjedhjes së Presidentit është dispozitë konsensuale. Përpjekjet tona nuk do të reshtin kurrë për të bashkëpunuar me opozitën brenda rendit kushtetuese dhe për të marrë me seriozitetin më të madh çdo propozim të opozitës”, u shpreh Topalli. Pas refuzimit të PS-së për të votuar ligjet me tre të pestat, thotë se ky ishte shansi i dytë i humbur për Shqipërinë dhe rrugën e saj integruese drejt BE-së. “Opozita duke bllokuar këto ligje, në fakt i ka bërë një dëm tjetër pas dëmit të madh prej dy vitesh që i bën përmes bojkotit dhe bllokimit të parlamentit. Brenda 10 ditëve kemi 3 raporte të fundit të cilat flasin për një kapërcim të rëndësishëm të Shqipërisë në majën e vendeve për kompetivitetin ekonomik, për transparencën, rritjen e investimeve si dhe rritjen e investimeve. Përpjekjet tona nuk do të reshtin kurrë”, tha kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli. Gjatë seancës plenare të ditës së enjte Partia Socialiste refuzoi të votonte ligjet me shumicë të cilësuar, duke e detyruar Kuvendin të tërhiqte të gjitha ligjet me 3/5 e votave. Kreu i grupit parlamentar socialist Gramoz Ruçi tha se në këmbim të votës për ligjet e integrimit, PS ka një paketë me 10 pika të cilat mazhoranca duhet t’i trajtojë me seriozitet. Por, reagimi i mazhorancës ka qenë i menjëhershëm duke i bërë të ditur socialistëve se për integrimin e vendit s’mund të ketë kushte dhe shantazhe. Sipas nënkryetarit të Partisë Demokratike Astrit Patozi, mazhoranca nuk mund të bëjë kompromise me axhendën e integrimit të vendit.
...