Hillari Klinton: Projekti i gazsjellësit që kalon nga Shqipëria, me rëndësi strategjike

Ndryshe nga tre ditë më parë, kur ministri ynë i Jashtëm, Edmond Haxhinasto, nisi një njoftim ku thuhej se ka takuar edhe Sekretaren e Shtetit, Hillari Klinton, pa sqaruar më shumë, dje Ministria e Jashtme ka nisur një njoftim më të detajuar për një takim me Klinton gjatë darkës tradicionale transatlantike. Sipas njoftimit, në takim është diskutuar për dy çështje, angazhimin e Shqipërisë në NATO dhe për projektin e gazsjellësit Trans Adriatic Pipeline (TAP). “Ministri i Punëve të Jashtme Haxhinasto e siguroi sekretaren Klinton për rritjen e vazhdueshme të kontributeve të Shqipërisë në kuadër të NATO-s dhe gatishmërinë e saj për të asistuar dhe për t`i ofruar eksperiencën e vet vendeve në tranzicion nga regjime totalitare drejt shoqërive të hapura dhe demokratike, thuhet në njoftimin zyrtar. Gjatë bisedës u diskutua edhe mbi mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për projektin TAP, projekt për të cilin të dy bashkëbiseduesit vlerësuan se ka një rëndësi strategjike për Shqipërinë dhe nga i cili do të përfitojë i gjithë rajoni”.
...