E Shtunë, 31 Tetor 2026

Blushi: “Bojkoti, alibi personale e Ramës për humbjen”



Anëtari i Kryesisë dhe deputeti i Partisë Socialiste, Ben Blushi, ka ritheksuar qëndrimin e tij kundërshtues ndaj idesë për bojkotimin e Parlamentit nga ana e Grupit Parlamentar. Pas përfundimit të mbledhjes së Kryesisë, Blushi tha se shumica e anëtarëve të Kryesisë e kishin kundërshtuar propozimin për bojkot. Ai e akuzoi Ramën se po përdor forma të ndryshme alibish për të shmangur përgjegjësinë nga humbja e zgjedhjeve. Blushi shkoi edhe më tej, duke akuzuar kreun në detyrë të PS-së se me këto lëvizje po përpiqet të bëjë negociata jashtë sallës së Parlamentit me kryeministrin Berisha. “Për fat të keq, ajo që kishim parashikuar ndodhi. PS-ja nuk do të marrë pjesë në Parlament për një afat të pacaktuar. Në vlerësimin tonë ky është një bojkot, një pjesë e madhe e anëtarëve të Kryesisë ishin kundër bojkotit. Bojkoti nuk është në dobi të PS-së, por thjesht dhe vetëm, dhe kjo është e qartë për të gjithë shqiptarët, është për interesat personale të Edi Ramës. Rama po krijon fakte të paqena dhe nuk ka faktuar asgjë nga manipulimet dhe deformimet e sistemit. Sigurisht që ka pasur deformime, ka pasur edhe presione të shtetit mbi votuesit, deformime listash, por PS-ja duhet ta kishte përballuar këtë gjë me dinjitet. Rama po fshihet nga një alibi në tjetrën. Unë dhe shumë kolegë që ishim kundër bojkotit kërkojmë që PS-ja t’i kushtëzojë raportet me qeverinë, por kjo vetëm brenda sallës së Kuvendit. Nëse dalim nga salla e Parlamentit pa e ditur si do të hyjmë dhe kur do të kthehemi, kjo është një rrugë pa kthim që rrezikon Partinë Socialiste. I kërkova Edi Ramës që të shprehet për kushtet. Për fat të keq, ai nuk dinte asgjë. Shumë kolegë në Kryesi, të cilët ishin kundër bojkotit, kërkuan të njiheshin me kushtet, por ai tha që kjo do t’i lihet Grupit Parlamentar. Edhe nëse do të kemi kushtet, ato duhet të bëhen vetëm në sallën e Parlamentit. Nuk mund të ketë hetim jashtë Parlamentit. Bojkoti është alibi e Edi Ramës për të mos pranuar rezultatin për të cilin ai është përgjegjës. Është kërkesë e Edi Ramës për të hyrë në negociata me Sali Berishën. Por kjo nuk mund të ndodhë”, - tha deputeti socialist, Ben Blushi.

5 Shtator 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›