E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kërkesat e NATO-s Qeveria ndryshon ligjin për “sekretin shtetëror”

Autori i Lajmit: S.T
Qeveria e Shqipërisë miratoi dje dy vendime në lidhje me informacionet e klasifikuara “sekret shtetëror” konkretisht, të dhënat që shkëmbehen nga institucionet e vendit me Aleancën e Atlantikut të Veriut, NATO, ku Shqipëria bën pjesë prej 1 prillit 2009. Sipas vendimeve të Qeverisë, transmetimi dhe shkëmbimi i informacioneve që merren apo i jepen NATO-s, duke i përhapur tek palë të treta, bëhet vetëm nga persona të certifikuar. Kjo nënkupton se personat në fjalë duhet të jenë të certifikuar nga vetë NATO, për qarkullimin e informacioneve teknologjike apo ushtarake që konsiderohen sekret shtetëror për çdo vend anëtar të Aleancës. “DSIK-ja autorizon, me shkrim, hapjen, në ministri dhe në institucione shtetërore, të zyrave të nënregjistrit të informacionit të klasifikuar të NATO-s, mbikëqyr veprimtarinë e tyre dhe, kur e gjykon të nevojshme, vendos mbylljen e tyre. Shkëmbimi i informacionit të klasifikuar me NATO-n kryhet në mënyrë të drejtpërdrejtë nga zyrat e nënregjistrit të informacionit të klasifikuar të NATO-s, të ngritura pranë ministrive dhe institucioneve shtetërore”. Transmetimi, transportimi dhe transferimi i informacioneve e i materialeve të klasifikuara të NATO-s shteteve dhe organizatave të tjera ndërkombëtare të kryhen vetëm përmes personave, rrugëve e mjeteve të përcaktuara dhe të certifikuara përshtatshmërisht”, - thuhet në vendimin e Qeverisë. Vendimet e kaluara dje në Qeveri janë në fakt ndryshime të vendimeve të mëparshme për informacionet e klasifikuara “sekret shtetëror”. Vendimet e djeshme përfshijnë ndryshime edhe ne dispozitat për shkëmbimin e informacioneve me qendrën operacionale të NATO-s, SHAPE, e cila ndodhet në Belgjikë.

Ky lajm është publikuar: 18/02/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›