E Shtunë, 31 Tetor 2026

Intervista Lohan: “Kriza po rrezikon integrimin në BE”

Autori i Lajmit: Redaksia
Kreu i delegacionit të Komisionit Evropian në vendin tonë, Helmut Lohan, paralajmëron politikën shqiptare se me krizën e krijuar po vë seriozisht në rrezik proceset e integrimit. Lohan ka pohuar në një intervistë për Dojçe Velen se, nëse kjo krizë zgjat, atëherë është e vështirë që KE të japë një opinion pozitiv për aplikimin e Shqipërisë për statusin e vendit kandidat në BE. Për sa i përket liberalizimit të vizave, Komisioni Evropian do ti paraqesë një rekomandim Këshillit të Ministrave të Bashkimit Evropian në bazë të një analize, e cila do të jetë shumë objektive dhe do të bazohet tek kërkesat konkrete. Puna e Bashkimit Evropian është neutrale dhe objektive. Lohan vlerëson se në dy raundet e bisedimeve mes presidentit Topi dhe kryeministrit Berisha e kryesocialistit Rama ende nuk ka ndonjë hap të veçantë për të lavdëruar, por beson se ky proces do të çojë në gjetjen e një zgjidhjeje brenda kohës së duhur. Shqipëria ka aplikuar zyrtarisht për statusin e vendit kandidat për në BE në prill të 2009. Në fund të marsit Shqipëria do të bëjë dorëzimin e pyetësorit të BE-së, për vlerësimin e kërkesës së saj për të marrë statusin e vendit kandidat.
Zoti Lohan, dje presidenti Bamir Topi vazhdoi bisedimet me kryeministrin Berisha, liderin e opozitës, Rama, dhe me Ju, që kryesoni delegacionin e BE-së në Tiranë, për të ecur drejt zgjidhjes së krizës politike 6-mujore në Shqipëri. Por në përfundim palët deklaruan përsëri të njëjtat qëndrime të kundërta lidhur me hapjen e kutive të votimit, që përbën kushtin e vetëm që opozita të kthehet në Parlament. Cili është opinioni juaj i deritanishëm, a jeni optimist në suksesin e këtij hapi politik?
Bashkimi Evropian ka mirëpritur faktin që Presidenti ka thirrur një tryezë të rrumbullakët, të nisur të shtunën e kaluar, më 13 shkurt dhe që vazhdoi dje. BE-ja i konsideron të dyja raundet e bisedimeve të deritanishme si fillim të një procesi. Mendoj se nuk ka asnjë arsye për ta duartrokitur apo lavdëruar ndonjë hap të veçantë në këtë proces. Dialogu politik mes palëve nuk është si në një lojë tenisi, ku çdo set komentohet nga dikush. Besoj se ky proces do të çojë në një zgjidhje të suksesshme brenda kohës së duhur.
Sa e rëndësishme është për Komisionin Evropian zgjidhja e suksesshme e krizës? Në rast se, për fat të keq, ajo nuk gjendet pikërisht tani, para 4 marsit, ose 6 muajve që Kushtetuta njeh të drejtën e deputetëve opozitarë për të bërë betimin dhe për tu futur në Parlament, a rrezikon ecurinë e procesit integrues evropian?
Në fakt, nga këndvështrimi i KE-së, pyetja për të cilën duhet të marrë një përgjigje është: A e plotëson Shqipëria kriterin politik për anëtarësim në BE? Dhe është shumë e qartë që, nëse Parlamenti i Shqipërisë vazhdon të mos funksionojë si duhet edhe për një periudhë tjetër kohore, atëherë Shqipëria ndodhet përballë një rreziku të madh që Komisioni të mos ketë mundësi të rekomandojë hapjen e negociatave për pranimin e statusit të vendit kandidat për anëtarësim në BE. Prandaj, është e rëndësishme që për hir të interesit të integrimit evropian të Shqipërisë, drejtuesit politikë të Shqipërisë të mos lënë të kalojë rastin e tryezës së rrumbullakët presidenciale për të hedhur hapa konkretë drejt gjetjes së një zgjidhjeje.
Ku e shihni mundësinë e konvergimit të qëndrimeve të kundërta të deritanishme të kryemnistrit Sali Berisha dhe liderit të opozitës, Edi Rama?
Të gjithë drejtuesit politikë të Shqipërisë kanë shpallur gjithmonë integrimin evropian të vendit si një nga objektivat e tyre parësore, më të rëndësishme. Dhe vërtet ky objektiv ka qenë dhe mbetet forca e madhe lëvizëse që ka qëndruar dhe qëndron pas politikave të tyre. Prandaj mendoj se baza e ecjes drejt konvergimit të qëndrimeve të tyre të kundërta deri më tani është perspektiva e integrimit evropian të Shqipërisë. Kjo perspektivë është në mendjen e tyre gjatë gjithë kohës dhe sidomos në këtë situatë të veçantë.
Ky lajm është publikuar: 18/02/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›