E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kërkesat e PS-së do të shqyrtohen më 18 Mars

Pas takimit, kryetari i Grupit Parlamentar të PS-së, Gramoz Ruçi deklaroi se kërkesa ishte cilësuar si procedurale, ndërsa ka theksuar se ka pasur debate gjatë diskutimit.

I pyetur nëse opozita do të marrë pjesë në seancat e Kuvendit, Ruçi u shpreh se “do të presim se çdo do të ndodhë me kërkesën e PS-së për hapjen e kutive”. Ndërkohë, kryetari i grupit demokrat Astrit Patozi u shpreh se Ruçi kishte kërkuar ndryshimin e ligjit për komisionet hetimore.

"Sigurisht, nuk mund të kishte konsensus për sa i përket përmbajtjes së nismave, pasi ne mendojmë se gjithçka duhet të jetë korrekt dhe kompatibël me Kushtetutën, me vendimin e Gjykatës Kushtetuese dhe me ligjet e tjera të vendit", tha kreu i grupit demokrat, Patozi.

Ai ftoi homologun e tij socialist, Gramoz Ruçi, që të ulen bashkarisht dhe t'i diskutojnë nismat për t'i bërë sa më të përshtatshme me Kushtetutën dhe ligjet e vendit, në mënyrë që të gjendet zgjidhje për të dyja palët.

Kryetari i grupit demokrat tha gjithashtu se gjatë mbledhjes së sotme të konferencës së kryetarëve kishte shkaktuar habi kërkesa e kryetarit të grupit socialist, Gramoz Ruçi, i cili kërkoi që nisma e PS-së për ngritjen e komisionit hetimor të trajtohej pas shqyrtimit të projektligjit "Për organizimin dhe funksionimin e komisioneve hetimore". Kjo shkaktoi pak habi për shkak se ne e kemi konsideruar ngritjen e komisioni hetimor si kauzën më të rëndësishme të PS-së në këto gjashtë muajt e fundit", tha z. Patozi.

PS ka paraqitur dy projektligje në Kuvend, ku kërkon që komisionet hetimore parlamentare në tërësi të drejtohen gjithmonë nga opozita, dhe së dyti, komisionit hetimor të zgjedhjeve t'i jepet e drejta që të hapë një apo disa kuti votimi dhe të shqyrtojë materialet zgjedhore. Kjo është hera e parë që PS-ja merr pjesë në këtë konferencë, për këtë sesion parlamentar.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›