E Shtunë, 31 Tetor 2026

Komisionieri socialist i Ruzhdies, nën hetim për abuzim me detyrën

02/03/2010 Prokuroria nis hetimin për zgjedhjet në Fier

Komisionerët e qendrës së votimit në fshatin Ruzhdie të Qarkut Fier do të hetohen penalisht për shkelje të ligjit. Lajmi konfirmohet nga kreu i prokurorisë së rrethit Fier, që shprehet se për këtë çështje organi i akuzës po punon prej muajsh. Dikur një fshat gati i harruar, tashmë është “kryefjala” dhe epiqendra e politikës shqiptare, gjë që nuk u vjen aspak mirë banorëve të këtij fshati, të cilët larg politikës, tashmë krejt indiferentë, merren me mbjelljet e pranverës. Por për banorët e këtij fshati “problematik” duhet të jenë politikanët ata që të bëjnë ç’është më e mira për vendin tonë dhe për të kaluar krizën e përgjithshme, ndërsa ata vetëm duhet të punojnë. Maratona e 28 qershorit në komunën e Ruzhdies së Fierit është kthyer tashmë në arenë dhe sfidë jo vetëm për krerët e politikës. Kutia e Ruzhdies është kthyer në pikë referimi e prokurorisë, për të hetuar parregullsitë e evidentuara në këto zgjedhje parlamentare. Ka disa muaj që edhe prokuroria e rrethit Fier po punon për të hetuar kutinë që është bërë “molla e sherrit” në Parlament dhe jashtë tij. “Hetimet vijojnë, pra janë sërish në proces dhe të pambyllura. Dy janë fushat në të cilat ne po hetojmë: e para, ajo e braktisjes së punës nga ana e komisionerëve të majtë dhe tjetra, ajo e parregullsive dhe shkeljeve eventuale gjatë procesit të votimit pas largimit të komisionerëve”, ka vijuar Binaj. Ndërkohë që ky i fundit, megjithëse me informacion të rezervuar, deklaroi se starti i hetimit ka nisur pak ditë pas votimeve, kur u bë edhe kallëzimi i parë penal. “Kallëzimi penal i bërë në prokurorinë e Fierit ka ardhur nga disa shtetas, të cilët mund të jenë edhe anëtarë të qendrës së votimit në fshatin Ruzhdie, pra të të dyja grupimeve politike. Ndërkohë më pas te ne është bërë një kallëzim penal edhe nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve”, ka vijuar Binaj. Sipas tij, prokuroria, pasi ka shqyrtuar në morinë e rasteve edhe kutinë e Ruzhdies, ka dalë në konkluzionin se ajo mund të klasifikohej si e parregullt dhe me shkelje, duke e kaluar kështu për hetim në organin e akuzës në Fier. Po ashtu, sipas Binajt, procedimi penal po vijon, por ende nuk mund të jepet me saktësi një ditë se kur dosja përfundimtare mund të jetë gati për në gjykatë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›