Ndarja e posteve në PD, Bode: Nuk ka asnjë kërkesë zyrtare
Afrimi i datës 12 dhjetor, që përkon me mbajtjen e kongresit të 9-të të PD-së tashmë ka pozicionuar zërat pro dhe kundër ndryshimeve statutore në radhët e partisë në pushtet. Mbështetësit e ndryshimeve në statutin e PD-së kërkojnë një ndarje postesh në strukturat e partisë, në mënyrë që ministrat të mos kenë poste drejtuese. Ndërsa zërat kundër pretendojnë vijimësinë e këtij statuti, ashtu siç ka funksionuar gjatë gjithë kohës. Ndërkaq, nga angazhimet e shumta në qeverisje, figurat që mbajnë edhe poste partiake përgjatë këtij mandati, kanë vendosur të mos neglizhojnë funksionimin e strukturave të Partisë Demokratike. Por, ndarja e posteve në partinë më të madhe të mazhorancës duket se nuk është tjetër veçse një debat mediatik, pasi drejtuesit e saj tashmë flasin shkoqur: nuk do të ketë ndarje postesh më 12 dhjetor, ndërkohë që është pjesa tjetër e anëtarësisë që mbështet ndarjen e posteve qeveritare nga ato partiake. Sekretari i përgjithshëm i PD-së, Ridvan Bode, i cili drejton grupin e punës për ndryshimet në statut, deklaroi dje se asnjë kërkesë për ndarjen e posteve qeveritare nga ato partiake nuk ka ardhur në komision. Sipas tij, është kuvendi i partisë ai që vendos për çështje të tilla dhe nuk janë deklaratat e individëve. Sekretari i përgjithshëm i PD-së sqaroi gjithashtu edhe raportin e PD-së me parimin “një anëtar një votë”. “Ndryshimet në statut do të synojnë riorganizimin e partisë në përputhje me sistemin e ri elektoral. Nuk ka kërkesë për të tilla gjëra. Statuti i PD është statut i një partie tërësisht të integruar në struktura të tjera analoge. Është anëtare e Partive Popullore Europiane dhe partive Demokratike Europiane. Nëse do të kenë propozime që përputhen me statute analoge të partive të vendeve të tjera gjithcka do të jetë e mundshme për t’u marrë në konsideratë. Ai që vendos përfundimisht është kongresi kombëtar i PD për statutin e tij dhe nuk janë as një individ dhe as një grup individësh”, - u shpreh z. Ridvan Bode. Pak javë më parë Kryesia e PD-së ngriti 2 grupe pune: një për analizën zgjedhore dhe një për ndryshimet në statut, produktet e të cilëve do të shqyrtohen në kuvendin e 12 dhjetorit. Nga ana tjetër një tjetër anëtar i Kryesisë së PD-së, kreu i demokratëve të Tiranës, Aldo Bumçi, ka bërë të qartë: “Qëllimi i debatit nuk është ndarja e pushteteve siç e cilësoni ju, por funksionimi i strukturave të PD-së. Ndarja e roleve në nivelin e sekretarëve është një mjet që i shërben qëllimit që në synojmë: një strukturë partiake e gjallë, që funksionon edhe gjatë kohës që jemi në qeverisje. Por në vetvete ndarja e postit të sekretarëve në parti me atë të ministrave nuk është kusht i mjaftueshëm për të arritur një parti të gjallë që mban kontakte të rregullta me anëtarët, qytetarët dhe grupet e ndryshme të interesit”. Bumçi pohon: “Sekretariatet e ndryshme që ekzistojnë në Partinë Demokratike duhet të shërbejnë si forume debati për politika që ndërmerren nga qeveria, por dhe si mekanizma nëpërmjet të cilave anëtarët e PD-së, por dhe qytetarë dhe ekspertë të fushave të ndryshme, mund të shprehin mendimet e tyre dhe të dëgjohen. Një strukturë e gjallë që funksionon rregullisht do të ndihmojë pa dyshim dhe qeverisjen e vendit dhe ruajtjen e lidhjes me qytetarët”. Miratimi i ndryshimeve në statut për ndarjen e posteve partiake nga ato shtetërore do t’i detyronte të gjitha figurat e PD-së të cilat kanë dy funksione, që të hiqnin dorë nga drejtimi i strukturave të partisë. Kështu, kryetares së Parlamentit, Jozefina Topalli, do t’i duhej të hiqte dorë nga posti i nënkryetares së PD-së. Po ashtu, edhe ministri i Financave Ridvan Bode do të ishte i detyruar të hiqte dorë nga posti i sekretarit të përgjithshëm në PD. Por, nëse ndryshimet në statut miratohen dhe bëhet një ndarje e posteve partiake me ato shtetërore, këto figura nuk do të kenë më asnjë funksion në parti, edhe pse mund të mos jenë më ministra. Për nënkryetarin e PD-së, Astrit Patozi: “Në 12 dhjetor shkojmë drejt një procesi finalizues të zgjedhjeve të brendshme në PD, pas një fitoreje elektorale në 28 qershor. Dhe në njëfarë mënyre, unë pres që ky kongres të njohë rezultatin dhe të vlerësojë fitoren e PD-së në këto zgjedhje. Parimi politik është që lidershipi i partisë vendos për qeverinë dhe jo e kundërta, për shkak se një parti kur vjen në pushtet, drejtuesit e saj zënë vend në qeveri dhe jo e anasjella. Parimi për ndarjen e funksioneve mes partisë dhe qeverisë të shtrihet në sekretariatet dhe jo në strukturën e lartë drejtuese. Ndryshimet në statut kanë të bëjnë me përshtatjen e funksionimit të PD-së sipas sistemit të ri elektoral dhe asgjë më shumë”. Kurse sipas Edi Palokës, anëtari i Kryesisë së PD-së, sekretarët e partisë nuk duhet të mbajnë poste shtetërore. Paloka ka thënë se ndarja e posteve do të forconte akoma më shumë strukturat e partisë. Në këtë linjë është shprehur edhe Fatos Beja, në gjykimin e të cilit ekstremet nuk janë asnjëherë të mira. Ai ka vënë në dukje se në qoftë se të gjithë drejtuesit e partisë do të shkojnë të gjithë në pushtet dhe s’ngelet askush te partia, partia humbet forcën. Sipas tij, është e vështirë për një njeri që të drejtojë një dikaster të rëndësishëm, që ka detyrime të mëdha dhe përgjegjësi të mëdha ndaj gjithë popullsisë, jo vetëm ndaj partisë, dhe të jesh në gjendje pastaj të ndjekësh dhe këtë, nuk është e lehtë. “Vërehet prirja që të ketë nga të dyja. Nga momenti që kemi ndryshuar kodin për zgjedhjet në nivel qarku, atëherë kjo duhet të përshtatet edhe te partia. Kështu që ne do të kemi njëkohësisht parti të strukturuar në mënyrë të tillë, që të jetë e aftë të konkurrojë, të bëjë fushatë e të fitojë. Kjo është e detyrueshme të shprehet në statut, sepse statuti ngelet i tejkaluar tashmë”.