E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kërkesat minimale dhe maksimale të opozitës

Autori i Lajmit: Nga Zamir AlushiPartia Socialiste e shpalli dje kërkesën maksimale: “Zgjedhjet e parakohshme”. Në një intervistë dhënë gazetës “Ballkan”, një nga eksponentët e PS, deputetja Vasilika Hysi, ka shprehur se pasojë e djegies së mandateve do të jenë zgjedhjet e parakohshme. E artikuluar kjo kërkesë nga një juriste e njohur dhe e sprovuar me çështjet kushtetuese gjatë kohës që drejtonte Komitetin Shqiptar të Helsinkit, Hysi me siguri shpreh idirekt një pjesë të strategjisë së opozitës për të vënë maxhorancën në një ngërç juridik kushtetues dhe në një pamundësi për kthim mbrapsht në Kuvend. Edhe PD, me anë të Kryetares së Kuvendit i ka mëshuar këto ditë çështjes së djegies së mandateve të deputetëve socialistë, duke e eklipsuar apo kapërcyer mundësinë e një zgjidhjeje në tryezën e së shtunës. Nëse do tu shtonim këtyre dy opsioneve të kundërta, atë të Edi Ramës, që deklaroi para nisjes në Strasburg se kutitë janë kusht i panegociueshëm, duket se kërkesa e PS për zgjedhje të parakohshme është e vetmja bazë bisedimi me bazë reale dhe pragmatike mes dy palëve.

Precedenti Timoshenko

Julia Timoshenka është shprehur se nuk do ti njohë zgjedhjet dhe se do të fillojë luftën gjyqësore për përmbysjen e rezultatit. Gjithsesi, BE, SHBA dhe Rusia thanë se atje u mbajtën zgjedhje demokratike. Ky presion pozitiv ndërkombëtar ka bërë që të mos përsëritet skema e revolucionit portokalli, që u realizua 6 vjet më parë. Tashmë ka ndodhur kundërrevolucioni, ka ardhur në pushtet “djali i keq” prorus, Janukoviç. Ai ka fituar dy palë zgjedhje, por vetëm tani erdhi ora që të sporvohet si lider. Prova e parë është se si do të sillet ndaj opozitës së Timoshenkos. Më pas vijnë sjelljet e tjera, ndaj administratës, ndaj BE-së, NATO-s dhe Rusisë. Këtu do të duket nëse në Ukrainë po ndodh kundërevolucioni apo evolucioni demokratik.

Ngjashmëri dhe kundërti

Rasti ynë ngjan shumë, mjaft të ndërrosh Berishën me Janukoviçin. Jemi në të njëjtat pamundësi morale e shpirtërore për të rilindur, në të njëjtën krizë ekonomike, por një përparësi, (ndoshta pengesë për diabolizmin bizantin të liderëve tanë), jemi në Evropë dhe në NATO, nuk jemi në “Evroazi”. Dy dekada pas përmbysjes së regjimit komunist, protagonistët e asaj lëvizjeje, (aktualisht udhëheqës), kthehen në të njëjtën skenë si në përsëritjet replay të aksioneve në ndeshjet e futbollit. Ata justifikojnë pozicionet që mbanin atëherë, lajnë ndërgjegjen politike para elektoratit, përgatisin njerëzit me idenë se do të jenë ata prapë në lojën politike, por tashmë vjen premtimi se nuk do të përsërisin gabimet, që e frenuan Shqipërinë dhe e lanë në fund të proceseve integruese evropiane. Akuza dhe kundërakuza: “Ti ke qenë vetëm disa minuta anëtar i PD-së, babai yt....”; “Ti ke internuar njerëz kur ishe sekretar partie”. Si me porosi doli në dritë një varrezë masive e komunizmit, shpërthyen debatet për “dosjet”. E vërteta jonë e hidhur është se nuk bëmë revolucion, as si rumunët që vranë diktatorin, as si çekët që bënë revolucion të kadifenjtë. Në fakt, revolucioni ynë i ngjan portokallisë ukrainase që dalëngadalë kthehet në evolucion demokratik të ngadaltë. Kaq është fuqia jonë e shoqërisë për të rilindur dhe për të nxjerrë ide dhe liderë të rinj. Evolucioni ynë do të jetë i ngadaltë, por kthim nuk ka. Sa më sipër, nuk duhet të gjykojmë se imazhi i vendit prishet nga protestat. Demokracia jonë e mekur ka nevojë për lëvizje të tilla.

Tryeza dhe zgjedhjet e parakohshme

Çfarë ndodh nëse tryeza nuk arrin një përfundim, një zgjidhje ashtu siç kërkojnë ndërkombëtarët, si deklaruan dje OSBE dhe SHBA. Pragmatike do të ishte e mesmja, që duket e largët. Të dyja palët po përgatiten për dështimin, po lobojnë për ti hedhur fajin nesër njëri-tjetrit për dështimin e bisedimeve. Opozita do të kërkojë menjëherë zgjedhje të reja nën protesta dhe greva. Edhe sa kohë do ti rezistojë koalicioni PD-LSI këtij presioni. Qeveria konservatore greke e Karamanlisit rezistoi një vit. Opozita do të fitonte nën këtë klimë minimumi zgjedhjet e ardhshme vendore, megjithëse kërkesa maksimale janë zgjedhjet e parakohshme.
Ky lajm është publikuar: 11/02/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›