Ushtarët amerikanë stërviten duke ngrënë akrepa dhe kobra
Autori i Lajmit: Redaksia
Ushtarët amerikanë hanë akrepa dhe pinë gjak kobre për të treguar forcën e tyre. Ngjarja është zbuluar gjatë stërvitjeve ushtarake të marinsave amerikanë në operacionin “Kobra e artë” në Tajlandë. Ata janë stërvitur të përtypin hardhuca, bretkosa dhe insekte për ti mbijetuar terrenit të vështirë të xhunglës. Këto stërvitje ata i kryejnë në Flotën detare të Tajlandës. Ndërkohë që aktivistët e të drejtave të kafshëve e kanë dënuar këtë praktikë të çudishme. Drejtori i Ndihmës së Kafshëve, Andre Tyler tha: "Ky është një ushtrim idiot prej maçoje që bëhet për tu zbavitur. Këto janë krijesa shumë të vogla për ti vrarë dhe kjo që ata bëjnë është shumë e gabuar. Ushtarëve amerikanë nuk ka nevojë që tu jepen akrepa për të ngrënë që të tregojnë guximin dhe forcën e tyre, pasi ata nuk shkojnë asgjëkundi pa marrë ushqimet e tyre me vete. Në stërvitjet e operacionit “Kobra e artë” marrin pjesë 14 mijë trupa nga vende si Singapori, Japonia, Koreja e Jugut dhe Indonezia. Instruktorët e flotës tajlandeze u kanë mësuar atyre të kapin dhe vrasin një nga llojet më të rrezikshme të gjarpërinjve, “kobrën”. Më pas ata i presin kokën për ti pirë gjakun. Ambasadori amerikan në Tajlandë, Erik Xhon, tha se “ushtrimi bëhet për të rritur aftësinë e nevojshme për të siguruar operacione paqeje dhe stabiliteti të suksesshme”. “Puna e trupave tona që bëhet këtu mund të na ndihmojë për të shpëtuar jetë”, - tha ambasadori amerikan në Tajlandë.
Ky lajm është publikuar: 11/02/2010