Konferenca e 75 partive, Brezhnjevi nuk e sulmon Tiranën
Autori i Lajmit: Androkli DraloMoskë, 6 qershor 1969 – Kryetari i Partisë Komuniste Sovjetike, Leonid Brezhnjev, hapi sot konferencën e samitit dy herë të shtyrë të partive komuniste të botës me një fjalim 10 minutësh. Me fjalë të përzgjedhura me shumë kujdes, udhëheqësi sovjetik shmangu përmendjen e çështjeve më të rëndësishme që shqetësojnë sot lëvizjen ndërkombëtare komuniste, - problemet me Kinën dhe pushtimin e Çekosllovakisë. Delegacione nga 75 parti të huaja komuniste, gjashtë më pak se numri i partive të mbledhura gjatë samitit të fundit (1960), dëgjuan Brezhnjevin të bënte thirrje për bashkim në luftën kundër “imperializmit” perëndimor. Dy çështjet e sipërpërmendura që shqetësojnë botën komuniste pritet të nxehin debatin dhe mosmarrëveshjet mes delegacioneve, pavarësisht përpjekjeve sovjetike për të lustruar çarjet për pushtimin e Çekosllovakisë më 20 gusht dhe ndarjen ideologjike kino-sovjetike. Brezhnjevi u tha delegatëve se vëmendja e të gjithë botës ishte fokusuar tek diskutimet e tyre. “Imperialistët e të gjitha vendeve dhe larot e tyre i frikësohen bashkimit tonë dhe me siguri do të përpiqen të bëjnë të pamundurën për të nënvleftësuar rëndësinë e konferencës, për ti përcjellë punimet dhe rezultatet e saj të shtrembëruara”, - paralajmëroi ai. Por arsyeja e vërtetë se përse konferenca është mbledhur, tregoi dëshirën e partive prezente për të “bërë detyrën ndaj klasës punëtore ndërkombëtare dhe popujve të tyre”, - deklaroi Brezhnjevi. Ai tha se uniteti i komunistëve, “forca e përpjekjeve të tyre, ishin dhe mbeteshin një kusht i rëndësishëm i suksesit në luftën revolucionare antiimperialiste, një kusht paraprak i fitoreve të reja të socializmit”. Udhëheqësi i Partisë Komuniste Sovjetike, i cili besohet se ka luajtur një rol të rëndësishëm për organizimin e kësaj konference, tha se ishin krijuar të gjitha kushtet për të çuar deri në fund një punë shumë të rëndësishme. “Ne jemi të bindur se shpirti i miqësisë dhe internacionalizmit, dëshira për bashkimin e lëvizjes komuniste, e cila u manifestua me forcë gjatë punës përgatitore, do të përcaktojë gjithashtu atmosferën e përgjithshme të konferencës aktuale”, - shtoi më tej Leonid Brezhnjev. Samiti po mbahet me dyer të mbyllura në hollin e dekoruar të Shën Xhorxhit – i ndërtuar në kujtim të njësive ushtarake dhe oficerëve të Carit në Pallatin e Madh të vjetër të Kremlinit. Rezultati i përpjekjeve 6-vjeçare të Kremlinit ishte për të organizuar një konferencë me partitë besnike të rusëve në debatin kino-sovjetik. Por mosgatishmëria e një numri të madh partish kryesore për të denoncuar publikisht Pekinin, e detyroi Rusinë të hiqte dorë nga planet e saj për refuzimin e përgjithshëm të politikave kineze. Në vend të kësaj, rusët po përpiqen të fitojnë një front të bashkuar në luftën Lindje-Perëndim dhe po u manovrojnë kritikave që vazhdojnë të vijnë për shkak të pushtimit të Çekosllovakisë. Pavarësisht një marrëveshjeje taktike mes Pragës dhe Moskës, se pushtimi është vetëm çështje e vendeve të prekura, shumë delegacione, - në mënyrë të veçantë ai italian dhe australian – thuhet se kanë parashikuar ta ngrenë si çështje gjatë punimeve të konferencës. Bashkimi Sovjetik është përpjekur me çdo kusht që lëvizja komuniste botërore të mos ndalet tek kritikat e pushtimit të Çekosllovakisë. Ato pesë vende që nuk kanë marrë pjesë në samit, janë nga 14 shtetet që sundohen nga komunistët – kinezët, shqiptarët, koreanoveriorët, vietnamezoveriorët dhe jugosllavët. Kina dhe aleati i saj evropian, Shqipëria, refuzojnë të kenë të bëjnë me Moskën, ndërsa Jugosllavia, me sa duket, është duke demonstruar edhe një herë tjetër pavarësinë e saj nga Moska. Mungesa e delegacioneve nga Koreja e Veriut dhe Vietnami Verior thuhet se ka ardhur nga “shkaqe periferike”. Partitë e Kubës dhe Suedisë kanë dërguar vetëm delegatë vëzhgues, dhe delegacionet e këtyre vendeve nuk do të angazhohen në vendimet e konferencës. Shtatëdhjetë e pesë partitë që aktualisht ndodhen në Moskë janë përgjithësisht parti të vendeve të pushtuara prej trupave sovjetike apo parti që veprojnë në ilegalitet. Partia kryesore japoneze qëndroi e distancuar, po ashtu si edhe përkrahësit më të rëndësishëm në radhët e komunistëve indianë, të cilët ishin të ndarë në tre grupime. Pavarësisht fjalimeve formale të krerëve të delegacioneve, koha më e madhe do ti kushtohet përpjekjeve për të arritur një marrëveshje për firmosjen e një dokumenti emërtues bashkimi për pjesën e lëvizjes komuniste që nuk e mbështet Pekinin në mënyrë aktive. Burime të informuara thanë se rreth 15 parti disidente ka bërë thirrje për amendamente për pjesë të ndryshme të dokument draftit kryesor, një nga të shumtit që konferenca do të lëshojë në përfundim të punimeve të saj në një formë apo në një tjetër. Zyrtarë thanë gjatë një konference për shtyp se delegatët e gjashtë partive, Haitit, Finlandës, Jordanisë, Venezuelës dhe Ekuadorit, iu drejtuan sesionit pas fjalimit të Brezhnjevit me një diskutim rreth axhendës, por nuk dhanë detaje të fjalimeve. Zyrtarët thanë se konferenca ra dakord në dy pika: Uniteti në luftën kundër imperializmit dhe festimeve të 100-vjetorit të lindjes së Leninit, vitin e ardhshëm. Konferenca po pasqyrohet gjerësisht nga organi i PKBS-së, “Pravda”, madje dhe duke mos censuruar dhe ndonjë zë kritik ndaj politikave sovjetike. Por një gjë e tillë vjen si dëshirë e Komitetit Qendror të Partisë Komuniste për të treguar “gatishmërinë” e PKBS-së për të mos censuruar asgjë që ndodh brenda Pallatit të Madh të Kremlinit.
Ky lajm është publikuar: 11/02/2010