Kupa e Shqipërisë Besa 2 Tirana 0, premierë e hidhur për Devi Mukën
Autori i Lajmit: Redaksia
Kavajë - Me fitoren e pastër 2-0 ndaj Tiranës në ndeshjen e parë të çerekfinaleve të Kupës së Shqipërisë, Besa, e mbetur me dhjetë lojtarë qysh nga minuta e 43-të, i dha një leksion të hidhur trajnerit Devi Muka, pikërisht në debutimin e tij me 13-herë fituesit e kupës, pavarësisht se në bankinë ishte ulur trajneri i portierëve, Astrit Nallbani dhe Alban Tafaj vazhdoi “telenovelën” e drejtimit të stafit përmes celularit. Sulmuesi i Besës, Bledar Mancaku, realizoi në minutën e 9-të nga pika e bardhë, pas një penalltie të shkaktuar nga mbrojtësi i Tiranës, Ditmar Bici. Dy minuta përpara përfundimit të pjesës së parë, mbrojtësi i majtë i Besës, Renato Arapi, u ndëshkua me karton të kuq, duke e lënë skuadrën me dhjetë lojtarë, por Tirana nuk mundi dot të përfitojë nga superioriteti numerik. Në minutën e 85-të, mesfushori Artion Poçi kombinoi me Bledar Mancakun, ky i fundit goditi drejt portës tiranase, portieri Blendi Nallbani nuk arriti ta zotërojë plotësisht dhe aty Daniel Xhafaj përfitoi duke shënuar golin e dytë e duke çuar shifrat 2-0. Një hap i madh i Besës drejt gjysmëfinales, edhe pse ka edhe 90 minuta për tu luajtur në ndeshjen e kthimit, dy javë më pas, në kryeqytet. Në rrugën drejt çerekfinaleve, në turin e parë Besa eliminoi Pogradecin e Kategorisë së Parë me dy fitore të ngushta: 3-2 në Pogradec dhe 1-0 në Kavajë. Në turin e dytë eliminoi Laçin: fitoi 0-1 në takimin e luajtur në Lezhë dhe barazoi 1-1 në ndeshjen e kthimit në Kavajë.
Mes borës dhe baltës
Nga tri ndeshjet e planifikuara për të mërkurën, janë luajtur vetëm dy, sepse ajo e Ersekës, Gramozi-Teuta, është shtyrë, për shkak të kushteve tepër të këqija atmosferike, prej dëborës së rënë. Në këtë mënyrë, Teutës së Durrësit i shkojnë dy herë rrugëtimet bosh drejt juglindjes, pasi nuk luajti as për kampionat me Skënderbeun, as me Gramozin për Kupë. Në Korçë, klubi pritës ka bërë pastrimin e fushës, duke bërë të mundur të luhej ndeshja, pavarësisht se rreth saj gjithçka ka qenë e mbuluar nga dëbora. Edhe si rezultat i kushteve jo të favorshme, rezultati i ndeshjes Skënderbeu-Vllaznia ka qenë i bardhë, pa rrjeta të prekura. Por, nëse në juglindje, çerekfinalet e Kupës së Shqipërisë janë ndeshur me dëborën e bardhë, në Kavajë nuk dukej gjëkundi bar i gjelbër, por fusha e stadiumit “Besa” ka qenë e mbuluar nga balta. Një terren që nuk kishte as gjënë më minimale për një ndeshje futbolli, ku futbollistët ishin të detyruar të ktheheshin në gladiatorë, të luftonin me kundërshtarin, por edhe me baltën. Megjithatë, ndeshja është luajtur dhe Besa ka fituar bindshëm 2-0, me dy gola, që kanë ardhur edhe për “meritë” të portierit bardheblu, Blendi Nallbani. Ndërkohë, sot, është planifikuar të luhet çerekfinalja tjetër e Kupës së Shqipërisë, mes Shkumbinit dhe Dinamos. Nisur nga cka paraqet fusha e Peqinit në kohë me shi, është e pritshme që balta të mbizotërojë gjithçka edhe atje, si në Kavajë, si në ndeshjen e kampionatit mes të njëjtave skuadra, ku Shkumbini u shkaktoi bluve humbjen e parë në kampionat, me rezultatin shokues dhe të thellë, 4-0. Një veprimtari kombëtare, si kjo, që zhvillohet në kushte aspak të papërshtatshme, si të bëhet fjalë për një situatë “të jashtëzakonshme”, ku nuk mund të flitet për skema taktike e për lojë teknike, por që vë në rrezik serioz edhe shëndetin e futbollistëve, që mund të pësojnë dëmtime të rënda. E thënë ndryshe, balta i ka baltosur tashmë çerekfinalet e Kupës, ndërkohë që zyrtarët e FSHF-së, duke lejuar të luhet në fusha të tilla, si e Kavajës, ditën e mërkurë, tregojnë se për ta ka vlerë vetëm të konsumohet kalendari sportiv, pa për cilësi futbolli e gjëra të tjera të këtij lloji, as që e vrasin mendjen. Duke qenë në kohë fushate e zgjedhjesh, duket se “futbolli në tavolina” ka dalë në plan të parë, ndërsa ai në fushat e lojës, ka marrë një baltë të madhe surratit.
Çerekfinalet e Kupës së Shqipërisë
10.02.2010
BESA-TIRANA 2-0
Shënues: Mancaku 9′ (pen), D.Xhafaj 84′
SKENDERBEU-VLLAZNIA 0-0
GRAMOZI-TEUTA (e shtyrë)
11.02.2010
SHKUMBINI-DINAMO
Ky lajm është publikuar: 11/02/2010