Kërkimet embrionale; Arritjet e para pas vendimit të Obamës
Presidenti Barak Obama vendosi të lejonte përdorimin e fondeve federale për studimin dhe përdorimin e qelizave embrionale. Disa studiues kanë arritur tashmë përparim me qelizat embrionale të marra nga kordoni i kërthizës, të cilat nuk zgjojnë polemika, pasi nuk kërkojnë shkatërrimin e një embrioni. Një ekip studiuesish po përparon në kërkimet për t’i gjetur mjekim diabetit të tipit 1.
Në Qendrën Mjekësore të Universitetit të Teksasit në Galveston, studiuesi Leri Dener punon me qeliza për t’i shndërruar ato në qeliza që prodhojnë insulinë. I përkulur mbi mikroskop, ai flet me entuziazëm për përparimin e arritur në shtimin e qelizave në laborator.
“I shohim qelizat dhe thjesht me të parë në mikroskop e kuptojmë nëse po shtohen”.
Këto studime janë shumë shpresëdhënëse për pacientë që vuajnë nga diabeti i tipit 1, si Pamela Felps.
“Që kur isha 15 vjeçe, jam lutur që të gjendet një kurë ose të paktën mënyra më të mira për ta kuptuar dhe për t’u përballur me këtë sëmundje përditë”.
Megjithëse kërkimet përparojnë me ritme të ngadalta, ajo thotë se shkencëtarët i kanë dhënë asaj shpresë për një të ardhme më të mirë.
“Ushqej shpresa, shumë shpresa, pasi pa shpresë ku do të isha? Do të kisha rënë në pesimizëm të plotë”.
Pacientë me diabet, si Pamela Felps, e përballojnë sëmundjen me injeksione të rregullta me insulinë për të kompensuar paaftësinë e pankreasit për të prodhuar hormone që rregullojnë nivelin e glukozës në trup. Pikërisht në këtë drejtim i ndihmon studiuesi Leri Dener i Qendrës Mjekësore të Universitetit Teksas:
“Mund të shohim nëse qelizat që kemi krijuar mund të prodhojnë insulinë. Kemi mënyra specifike për t’i kontrolluar, përmes mikroskopit dhe përmes antitrupave të posaçme që diktojnë qelizat që prodhojnë insulinë”.
Në kushte laboratorike, Deneri dhe ekipi i tij kanë arritur të modifikojnë qeliza të kordonit të kërthizës në qeliza që prodhojnë insulinë.
“Protokolli i ndjekur është kopjuar nga procesi që ndodh në zhvillimin normal të pankreasit tek një embrion”.
Mjeku Dener thotë se heqja e kufizimeve për kërkimet me qeliza embrionale do t’u shërbejë përpjekjeve të tij, duke ofruar informacion më të gjerë mbi mënyrën si shndërrohen qelizat embrionale në qeliza organesh. Por, ai thotë se kërkimet e tij do të vazhdojnë të bazohen tek qelizat e marra nga kordoni i kërthizës:
“Qelizat me të cilat punojmë, janë marrë nga kordoni i kërthizës, i çfarëdo kordoni që mbetet pas lindjes së një foshnje kudo në botë. Ky kordon zakonisht hidhet si mbetje biologjike”.
Ai thotë se qelizat embrionale, të marra nga kordoni i kërthizës, mund të shndërrohen në një numër qelizash të tjera, por këto qeliza nuk kanë funksionet e një sistemi të plotë imunitar, gjë që mund të shkaktojë mospranimin e indit nga trupi.
Ka mundësi që në të ardhmen këto qeliza do të mund të krijojnë një pankreas të plotë që të transplantohet në pacientë me diabet. Por studiuesi Dener thotë se ai e ka përqendruar vëmendjen në periudhën afatshkurtër për provat klinike me pacientë për të parë nëse qelizat e krijuara në laborator do të ndihmojnë personat që vuajnë nga diabeti.
Zëri i Amerikës
Shkencë
Pajisje që ndihmon fëmijët me autizëm
Dita, çdo ditë, e një personi me autizëm është e mbushur me ankth, izolim e keqkuptim. Sjelljet dhe shprehjet nga më të thjeshtat për një njeri normal, shpesh duken pa asnjë kuptim ose të ndërlikuara për ata që vuajnë nga autizmi. Kjo vjen për shkak të dallimeve neurologjike midis një njeriu normal dhe një tjetri me autizëm, që do të thotë se ata kanë probleme në të folur e të kuptuar qoftë edhe konceptet më të thjeshta. Autizmi është një sëmundje jo e rrallë: 1 në çdo 150 fëmijë në Shtetet e Bashkuara preket prej saj.
Kohët e fundit, një grup shkencëtarësh britanikë dolën me një pajisje të re të quajtur “Transporter” ose transportues pamjesh e figurash shprehëse që përmirësojnë jetën e fëmijëve me autizëm. Këta fëmijë të ulur përpara televizorit përqendrohen në pamje multiplikative që dërgon pajisja dhe angazhohen në diskutim e marrin pjesë në tregim. Mbi pamjet prej kartoni vendosen fytyra njerëzish që shprehin ndjenja nga më të ndryshmet: gëzim, hidhërim, habi, turp në varësi nga ngjarjet që tregohen. Një fëmijë normal, duke i parë ato është në gjendje të përshkruajë e dallojë fytyrat e karaktereve. Por një fëmijë me autizëm ka probleme në komunikimin e ndjenjave. Duke e mbajtur shikimin të shpërqendruar, ai shmang fytyrat e të tjerëve dhe nuk është në gjendje të lexojë emocionet e tyre. Pamjet e transmetuar nëpërmjet transportuesit i nxisin fëmijët me autizëm pikërisht që të përqendrohen. Eksperimenti me këtë pajisje u krye nga një grup shkencëtarësh në universitetin e Kembrixhit në Angli. Drejtuesi i grupit, doktor Simon Baron-Kohen, thotë se nëpërmjet shoqatave bamirëse rreth 40 mijë aparate të tilla iu dhanë familjeve që kanë fëmijë me autizëm dhe sipas të dhënave, gjendja e këtyre fëmijëve është përmirësuar ndjeshëm.