E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pango është shumë i vogël për të na shpëtuar…



Nga Suela Mino

Do të ishte shumë e bukur për të qenë e vërtetë; ngrihet perdja, performon mjeshtërisht personazhi absurd, spektatorët e përjetojnë thellë lojën e tij, duartrokasin artin dhe i kthehen të lumtur përditshmërisë së tyre duke u ndier fatlumë që drama luhet vetëm në skenë. Por…

Perdja nuk u ngrit tani…

Herën e fundit që kam menduar për shoqërinë ku jetojmë, fatkeqësisht nuk jam frymëzuar nga “Fiks Fare”. Ka ndodhur në një park lodrash. Një fëmijë trevjeçar qëllonte në fytyrë vajzën time 8 vjeçe. Kur unë e zhgënjyer e pyeta si e lejoi, ajo ma ktheu: “ O ma, po e pe ti se çfarë mami kishte ai?” Vajza ime kishte frikë nga mami bjonde me taka e vetulla të larta. Edhe unë kam. Kam drojë të përballem me njerëz që vlejnë shumë më pak se ç’kanë.

Kur një fëmijë percepton kthjelltazi kufijtë që ndajnë të rriturit, do të thotë se mjedisi social të cilit ne i përkasim më së paku ka tipare të qarta. Do të ishim më të mirë po t’i kushtonim pak vëmendje asaj që konsumojmë përditë.

Me gjithë nxitimin e mëngjesit, të gjithë i ndalin sytë në veshjet festive të vajzave që u drejtohen shkollave, zyrave dhe njerëzve.

Me gjithë kaosin viziv në rrugët tona, nuk na shpëtojnë tabelat e mëdha të reklamave si ajo e një pijeje që shpërthen një bluzë dhe “bring out the beast”.

Reklamat këshillojnë të marrim çdo gjë që është e mirë dhe “është shumë t’i rezistosh”.

Kush prej nesh nuk e di se të jesh e bukur e ke më të lehtë të prezantohesh.

Kush mund ta mohojë se kuleta plot dhe një makinë e mirë ta bëjnë jetën më të lehtë. Sepse në kohën tonë vlejnë njerëzit e suksesshëm, ata që e “çajnë rrugën e historisë me shpatë në dorë”. Shpatën e kemi në dorë që fëmijë.

Një fëmijë duhet të jetë krenaria e prindërve të tij e për këtë duhet të jetë me dhjeta. Me çdo mjet: duke kopjuar, duke paguar, mjafton të mos lëndojë egon e familjes. Ka pak rëndësi çfarë personaliteti ndërton ai ditë pas dite, derisa e gjejmë të rritur me bindjen se çdo gjë që do, i takon – “çfarë ka ai tjetri më shumë...?”

Vetëm librat fetarë mësojnë të mos i bësh tjetrit atë që nuk do të doje të ta bënin ty. Po ky është anakronizëm, është demode. Shoqëria jonë e konsumit modelohet përmes reality show-t. Një skuadër me femra garojnë për një Beqar, një Vëlla i Madh të mëson si të gjesh të dashur dhe një milet i tërë kënaqet duke parë shfaqje…

Pango nuk është plangprishës…

Shfaqja “Pango” nxiti një reagim të fortë, të njëzëshëm të opinionit në Shqipëri. Dhe ne të gjithë u ndiem krenarë duke e lexuar këtë si moral të shëndoshë shoqëror. Një media na ndihmoi të tregonim me gisht “monstrën”.

Tani që e morëm vesh, shpëtuam.

Qeveria nuk ka më në mesin e saj një ministër të cenueshëm moralisht, aplikantët për punë do të rekrutohen sipas ligjit, një media mësoi se ia vlente barra qeranë të rrezikonte integritetin e një gazetareje për t’i çjerrë maskën një ministri, megjithëse ky nuk doli burrë fort i keq. Zonjushës nuk i ndodhi asgjë e pashlyeshme. Të gjithë u distancuam nga amoraliteti i Pangos.

Të gjithë e duam një mjedis të sigurt pune, një shtet që respekton standardet, një ligj që vepron. Po një moral kush do të na e japë?

Në çdo shoqëri ndodhin akte pedofilie, që prej sa ekzistojmë. Në ekrane shumë më të mëdha se tonat shfaqen abuzime seksuale me imunitet ose jo. Të gjitha institucionet vendimmarrëse janë distancuar nga sjelljet e turpshme dhe të paligjshme, kudo, gjithmonë.

Diferencën e bëjnë shoqëritë, shkalla e tyre e reflektimit ndaj një dukurie të caktuar. Nëse rasti “Pango” përcillet si turpi i atij vetë, i ish-qeverisë së tij, i mazhorancës që e prodhoi, i institucioneve shqiptare, i praktikave administrative, asgjë nuk do të ndryshojë, bëhen ose jo publike sjellje të tilla.

Më dëshpëron dhembshuria që ndiej për z. Pango. Pse i ndodhi kjo z. Pango dhe jo një të njohurit tim gazetar, i cili i hapte dyert e TVSH-së vetëm për vajzat që aspironin karrierë?!

Në interes të publikut… ose në emër të popullit

E gjithë praktika e ndjekur për të demaskuar ministrin Pango u legjitimua sepse i shërbeu interesit të publikut. Vetëm se “publik” ishin edhe familjarët e Ylli Pangos.

Në drejtësi ka një postulat që prezumon pafajësinë derisa provohet fajësia, edhe në rastin e një autori krimi të kapur në vendngjarje - vendimin e jep gjykata.

Në marrëdhëniet civile është tejkaluar koncepti i fajit kolektiv - ka një logjikë që veçon përgjegjësinë e gjithkujt për veprimet apo mosveprimet e veta.

Një djalë mund të ketë riskun të ketë një baba të dobët, por nuk meriton të ndihet i turpëruar për këtë si qenie sociale.

Një grua, një nënë e mban barrën e tradhtisë apo padenjësisë së fëmijës, bashkëshortit, heshtazi, dhimbshëm. Por askush nuk ka të drejtë ta turpërojë atë publikisht.

Unë nuk ushqej asnjëfarë respekti për z. Pango, por kjo nuk mund të më pengojë të konsideroj qenien sociale të tij.

Nëse dikush, qoftë kjo edhe media, ka një provë që fajëson dikë, kushdo qoftë ky, duhet t’i drejtohet gjykatës dhe jo publikut, sepse publiku nuk është institucion. Të paktën jo në Shqipëri.

Për hatër të publikut, velinat e “Fiks Fare” shpërfaqin çdo mbrëmje sharmin e tyre femëror. Një njeri me mandat politik që u ofrohet shqiptarëve t’u ndërtojë të ardhmen, e ka nisur kontributin e vet në interes të publikut me “emancipimin” e tij.

Njerëzit nuk duhet të kenë komplekse për të pranuar një politikan të zhveshur, mjafton të mos jetë në krye të detyrës atë çast.

Publiku mund të konsumojë amoralitet nga mëngjesi në darkë, por para TV-së, e jo në jetën e vërtetë. Ky është interesi i publikut, jo i medias, e cila është në pararojë të ruajtjes së moralit.

Ne, globalistët e ditëve të sotme, jetojmë një bjerrje të tillë morale, sa kryqëzimi i Pangos nuk na shpëton dot. Ndërsa tregojmë me gisht Pangon, kemi humbur mundësinë të shohim veten. Nëse Pango, pasi i ka humbur të gjitha, ia del të bëhet një njeri më i mirë, “Fiks Fare” ia vlen të falënderohet.

Sipas porosisë së Kiplingut, kjo është beteja e secilit, në këtë rast e Ylli Pangos.

Sa për shoqërinë shqiptare, pasqyra e thyer e ish-ministrit nuk mjafton për të na fshehur të gjithëve.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›