Vodhi 1400 euro, ndalohet i mituri kuçovar
Kuçovë - Një 14-vjeçar në qytetin e Kuçovës është kapur në flagrancë nga Strukturat e Parandalimit të Krimit të Komisariatit të Policisë të këtij qyteti. I mituri me inicialet S.B., lindur dhe banues në Kuçovë, rezulton të jetë autor i vjedhjes së 1400 eurove dhe 17 000 lekëve në banesën e qytetarit B.K., i cili banon në lagjen "11 Janari".
Ngjarja ka ndodhur një ditë më parë, kur familjarët e B.K. kanë lënë banesën dhe kanë qenë duke kryer detyra të tjera. I mituri duke përfituar nga kjo situatë ka hyrë në banesë dhe ka marrë shumën e eurove dhe parave që ka gjetur aty.
Menjëherë sapo është kthyer në banesë B.K ka konstatuar shenja vjedhjeje dhe mungesën e parave, ndaj ka bërë kallëzim të menjëhershëm në Komisariatin e Policisë së Kuçovës. Me të marrë kallëzimin, forcat e policisë dhe ato të strukturës së Parandalimit të Krimeve janë vënë në lëvizje dhe kanë hartuar planin për indetifikimin dhe kapjen e autorit, i cili është 14-vjeçari S.B.
Nisur nga fakti që autori ka qenë i mitur dhe pa përvojë policia nuk e ka pasur shumë të vështirë që të ndalojë dhe më pas të shoqërojë për në komisariat të miturin, duke vërtetuar më parë se ai është autor i vjedhjes së kësaj banese dhe shumës së parave, të cilat ai i ka treguar më pas si provë materiale.
Sipas policisë, nuk dihet nëse është vetëm i mituri njeriu që ka grabitur shumën e parave apo prapa tij fshihet ndonjë "usta" i vjetër, gjë që do të vërtetohet gjatë hetimeve të mëtejshme, të cilat do të shqyrtohen në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Vlorë (Seksioni i të Miturve), nën akuzën vjedhje e pasurisë së tjetrit, vepër kjo që parashikohet nga neni 134 i Kodit Penal.
Sipas specialistëve juristë, mosha paraadoleshente që ka autori, pengon dënimin e tij sipas ligjeve në fuqi, ndaj për të mund të jepet një dënim sa ½ e një dënimi normal për një person tjetër brenda moshës së ligjit. Rushan Dosti