Studimi, 1 në 10 fëmijë, i kequshqyer
Një në 10 dhjetë fëmijë vazhdon të kequshqehet. Specialistët e shëndetit publik shprehen se ky fenomen ka ardhur duke u përmirësuar, pasi sipas tyre, të dhënat e para 10 viteve referonin se kequshqyerja ishte problem për 1 në 3 fëmijë shqiptarë. Ndryshimi i situatës është vërejtur nga të dhënat paraprake të studimin të parë demografik shëndetësor të bërë në vendin tonë i publikuar dje nga ISHP, INSTAT, MSH dhe UNICEF.
Të dhënat
Alban Ylli, drejtor i Institutit të Shëndetit Publik, raporton se fenomeni i kequshqyerjes në vend ka pësuar rënie referuar të dhënave të fundme. Por, sipas Yllit, ende mbeten problematikë parametra të rëndësishëm, si gjatësia për moshë, tregon se kjo plagë, deri diku e së kaluarës, vazhdon të ngelet në disa rajone të vendit, në disa zona të caktuara të vendit.
"Kjo është dhe arsyeja pse Ministria e Shëndetësisë, në bashkëpunim me UNICEF dhe me mbështetje ndërkombëtare, si qeveria spanjolle, do të fillojë së shpejti një program afatgjatë (të paktën 3-vjeçar) lidhur me praktikat e ushqyerjes, me mbështetjen e nënave dhe me të gjithë determinantët e tjerë që qëndrojnë në bazë të problemeve të kequshqyerjes në Shqipëri", - tha Ylli.
Ai shtoi: "Nga studimi, rezultatet paraprake, të të cilit u paraqitën, dalin shumë të dhëna, një pjesë e të cilave inkurajuese, por megjithatë ka indikatorë, të cilët na bëjnë të jemi shumë të vëmendshëm dhe t’i kushtojmë shumë kohë lidhur nga pikëpamja e politikave shëndetësore".
Ndërkaq, ministri i Shëndetësisë, z. Petrit Vasili, vlerësoi studimin dhe tha se këto rezultate vijnë në kohën e duhur, kur nevojat kanë bërë imperative planifikimin dhe politikat, bazuar në të dhëna të mbledhura, të analizuara dhe të raportuara sipas një metodologjie shkencore të besueshme. “Kemi gjithmonë e më shumë nevojë jo vetëm për të matur efektet e politikave shëndetësore në shëndetin e popullatës, por edhe për të vendosur një bazë indikatorësh mbi të cilët do të ngrihen dhe përditësohen politika, reforma, programe, aktivitete të reja”, - u shpreh ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili.
Studimi
Studimi nisi në muajin tetor të vitit të kaluar dhe faza e vjeljes së të dhënave në terren përfundoi në prill të këtij viti, ndërsa pas 2 muajsh do të publikohen dhe të dhënat përfundimtare të tij. Për realizimin e tij, në total u intervistuan 8994 familje dhe rreth 98% morën pjesë në anketim. Të dhënat e raportit japin një informacion të përditësuar për karakteristikat e familjeve, popullatës, migrimit, arsimit, lindshmërisë, planifikimit familjar, vdekshmërisë foshnjore, shëndetit riprodhues, shëndetit të fëmijës, sjelljeve seksuale, HIV/AIDS dhe infeksioneve seksualisht të transmetueshme, praktikave të ushqyerjes me gji, çështjeve të gjinisë dhe dhunës në familje.