E Shtunë, 31 Tetor 2026

LSI: PS po i imponohet Presidentit

 LSI i kujton Partisë Socialiste se ajo mbetet faktor në zgjidhjen e krizës politike në vend. Sekretari për Marrëdhëniet Publike në LSI, Luan Rama, tha dje se PS po kërkon t’i imponohet presidentit Topi me kushtet e saj. “Qëndrimi parimor dhe konstant i Lëvizjes Socialiste për Integrim në lidhje me rëndësinë që merr dialogu politik institucional për zgjidhjen e situatës politike në vend është dhe mbetet konstante e pandryshueshme e jona. Natyrisht kur flasim për dialog politik, institucional kemi parasysh në radhë të parë vetëm dialogun që vjen në frymë të Kushtetutës dhe në zbatim të Kushtetutës së vendit. Së këtejmi unë gjykoj se qëndrimi më i fundit i Partisë Socialiste ka një non sens etik; së pari, në raport edhe me vetë Presidentin e Republikës, sepse nuk mundet që Partia Socialiste të imponoj modalitetet e takimit që organizon Kryetari i Shtetit”, u shpreh Rama. Sekretari i LSI-së tha se qëndrimi i PS ndaj negociatave ka një nonsens parimor sepse askush, aq më pak kryetari aktual i PS-së nuk mund të vendosë kushte për të defaktorizuar faktorë politikë të cilët i ka bërë të tillë, pra me ndikim dhe influentë në jetën politike të vendit”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›