E Diel, 1 Nëntor 2026

Abuzimi me tokat, kadastra verifikon raste të reja

"Janë zbuluar zona të tjera, ku është abuzuar me tokën". Kështu ka deklaruar kreu i Zyrës së Administrimit dhe Menaxhimit të Tokës në Këshillin e Qarkut të Fierit Ramadan Kanani. Një ditë pas denoncimit të rasteve të abuzimit me tokën në Komunën e Levanit, shefi i Kadastrës në Fier ka reaguar, duke thënë se fenomeni i abuzimit me tokën është një fenomen i ndeshur edhe në disa njësi vendore të tjera të qarkut. "Ne përditë përballemi me raste abuzimi tokash. Menaxhimi i 129 fshatrave vetëm në Rrethin e Fierit dhe afro 400 në rang qarku, është i shoqëruar edhe me raste flagrante të abuzimit nga ana e fermerëve me marrje tokash në mënyrë të kundërligjshme. Rast i ngjashëm me Levanin, është edhe ai në Komunën Dërmënas, Qendër, Libofshë, Patos, Lushnje e shumë njësie vendore të tjera. Le të jenë komisionet e tokave ato që të verifikojnë abuzimet në terren dhe të mund të denoncojnë rastet e shumta që ne si Kadastër kemi mundur të identifikojmë", ka thënë për "Shqip" shefi i kadastrës në qark, Ramadan Kanani.

Ndërkohë, për rastin e Levanit, Ramadan Kanani është shprehur duke thënë se janë fermerët ata që janë autorët fillestarë të abuzimit, pasi ata kanë uzurpuar pa të drejtë sipërfaqe toke, sipërfaqe të cilat kanë qenë pranë tokave që kanë marrë pas shpërndarjes së tyre në bazë të ligjit 7501. Gjithashtu, ai ka thënë në prononcimin e tij se të gjithë komisionet e tokave kanë dalë nga korniza e ligjit të sipërcituar. Një ditë më parë, gazeta publikoi një ndër rastet e shumtë të abuzimit me tokën. Ishte kryetari i fshatit Ferras ai që renditi një sërë rastesh abuzimi, ndërsa ato kishin mbërritur edhe në organin e akuzës së Fierit, si dhe në dikasteret e tjera përkatëse. Të pyetur nga gazeta "Shqip", drejtues të prokurorisë së rrethit kanë pohuar se kanë nën shqyrtim pothuaj 10 raste të abuzimit me tokën, në të cilat janë përfshirë krerë komunash, komisionesh, tokash e fermerë. Gjithashtu prej Prokurorisë dhe Krimit Ekonomiko-Financiar në Drejtorinë e Policisë Fier konfirmohet se është bllokuar funksionimi i komisionit të tokës në Komunën e Levanit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›