E Diel, 1 Nëntor 2026

Vendimi, të pastrehët do të paguajnë 100 për qind vlerën e shtëpisë

Të pastrehët do të paguajnë shtëpitë që shteti iu ka dhënë dy vjet më parë, ndërsa banorët janë shprehur se do të futen në grevë urie për të ndërruar këtë vendim. Një situatë sa ironike, aq dhe shqetësuese është për ish të pastrehët të cilët u pajisën me shtëpi në vitin 2005 nga Bashkia Shkodër dhe sot atyre u kërkohet të paguajnë 100% vlerën e banesë së tyre. Prej disa ditësh me dhjetëra familjarë enden dyerve të Bashkisë dhe Entit Kombëtar të Banesave, duke kërkuar shpjegim për situatën më të fundit në lidhje me shtëpitë e tyre. Kështu gjithë familjeve u ka ardhur një shkresë nga EKB-së ku u është vënë një afat për shlyerjen e plotë të vlerës së shtëpisë. Sipas sqarimit të dhënë nga Enti Kombëtar i Banesave, kjo është bërë pas një urdhri të qeverisë, ku thuhet se të gjitha ato familje që kanë banesa si të pastrehë dhe nuk kanë kryer hipotekimin e banesës së tyre pas vitit 2007, do të duhet të paguajnë për të marrë hipotekim 100% të vlerës së banesës. Në këtë situatë i bie që të pastrehët në Shkodër të paguajnë një çmim për një banese 2+1 shumën 3.7 milionë lekë, ndërsa një hyrje 1+1 do të likuidohet 2.2 milionë lekë. Njëri nga banorët e këtyre pallateve Paulin Bregu, duke folur për gazetën shprehet: "Kjo është qesharake dhe e papranueshme, nuk e kuptojmë. Si ka mundësi të ndodhë që të na japin shtëpitë si të pastrehë për të paguar 40% të vlerës së pallatit për 20 vite, dhe pas dy vitesh të na kërkojnë vlerën e plotë të shtëpisë. Kemi plot 10 viteve që ëndërrojmë të kemi një shtëpi. Kemi sakrifikuar aq shumë duke qëndruar në shtëpi me qira në çadra dhe sot duan të na i marrin sërish banesat se kjo që duan të bëjnë këtë kuptim ka. Nëse duhet të paguajmë 3.7 milionë për shtëpi, nuk kemi nevojë të blejmë shtëpitë që bën Bashkia apo EKB-ja, pasi me atë shumë që na është vendosur ka banesa me shumicë në Shkodër. Po të kisha aq lekë nuk do merrja shtëpinë këtu, të paktën do të blija vetë një banesë më afër qendrës së qytetit". Në këto pallate, jetojnë 77 familje, të cilat kanë pasur statusin e të pastrehut të kategorisë A dhe në vitin 2005, Këshilli Bashkiak i Shkodrës bëri ndarjen e banesave familjeve më në nevojë.

Në vitin 2005, kohë dhe kur u morën banesat nga të pastrehët, këta të fundit nuk mund të merrnin tapitë apo të bënin hipotekim të shtëpive, pasi pronari i tokës ku janë ndërtuar pallatet ka ngritur padi ndaj EKB-së, me pretendimin se ndërtimet janë bërë në pronë private.

Për sa kohë çështja ka qenë në gjyq hipotekimi, nuk mund të bëhej dhe në kohën kur gjyqi mbaroi. EKB-ja fitoi gjyqin, doli vendimi i qeverisë që kërkon likuidimin 100% të vlerës së shtëpisë. Në këto kushte, banorët e këtyre pallateve, kanë kërkuar prej strukturave shtetërore të ndërhyjnë në zgjidhjen e këtij problemi, në të kundërt ata kërcënojnë me fillimin e një greve urie.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›