Drejtori pagëzon maternitetin me emrin e babait
Guximi për t‘i vënë emrin e të atit, maternitetit që ai drejton, i është kthyer në reagim-protestë jo vetëm të kolegëve të vet, po dhe të institucioneve lokale dhe shoqatës "Durrësi". Këshilli Mjekësor i spitalit të Durrësit dhe shoqata "Durrësi" i është drejtuar drejtorisë së spitalit rajonal, kryetarit të bashkisë, atij të Këshillit të Qarkut dhe prefektit të Durrësit me kërkesën për të ndërhyrë dhe rishqyrtuar vendosjen e emrit "Fatmir Haxhihyseni" maternitetit të spitalit. Çështja ka mbërritur deri te ministri i Shëndetësisë Nard Ndoka, i cili ka dhënë dhe OK-in për dhënien e emrit, ndonëse për këtë akt duhej të ishte respektuar një procedurë e mirëpërcaktuar. Është anashkaluar mënyra e propozimit, testimit në komunitet të emrit të propozuar, si dhe miratimi nga Këshilli Bashkiak i Durrësit.
Kryetari i këshillit mjekësor, dr.Florian Bllaca, në kërkesën e përgatitur prej tij dhe të firmosur nga pjesa më e madhe e anëtarëve të këshillit thotë se procedura për emërtimin e maternitetit është jo transparente. Emërtimi i është bërë i ditur komunitetit të mjekëve vetëm pasi është vendosur nga ana e ministrit të Shëndetësisë, ndonëse nuk është marrë konsensusi i gjerë i personelit mjekësor dhe aktorëve të tjerë, përfshirë këtu dhe komunitetin qytetar të përfaqësuar nga shoqata intelektuale "Durrësi".
Mjekë të njohur si Muhamed Troplini, Dhimitraq Gjergo, Neritan Myderrizi, Taulant Baku, Shaban Dedej e të tjerë, kanë firmosur kërkesën për rishqyrtim të emërtimit të maternitetit. Mungon natyrshëm firma e gjinekologut Arben Haxhihyseni, anëtar i këtij këshilli dhe autor i emërtimit të maternitetit. Drejtori aktual i maternitetit të Durrësit, Arben Haxhihyseni, një nga figurat e PD-së në qytet, pasi ka siguruar këtë post me ndërhyrje që gjithashtu anashkaluan procedurat e rregullta të shkarkim-emërimit, ka kërkuar të përjetësojë figurën e të atit, në gjurmët e të cilit vazhdoi dhe në profesion. Ka dashur dhe ka arritur që t‘i vendosë emrin e tij maternitetit pa marrë parasysh asgjë. Madje as faktin, që vetë spitali rajonal nuk ka një emër, apo që propozimi nuk duhet të mbërrijë prej atij vetë po nëpërmjet kanaleve të tjera. Haxhihysenit i ka mjaftuar ndërhyrja pranë ministrit Ndoka dhe drejtori i spitalit Bashkim Shehu ka miratuar pa hezitim. Reagimi ka qenë i menjëhershëm. Prefekti i Qarkut të Durrësit, Klodian Pajuni, njëkohësisht nr.2 i PD-së në Durrës, tha për "Shqip" se kërkesën e Këshillit Mjekësor të Spitalit dhe shoqatës "Durrësi" ia ka përcjellë për shqyrtim menjëherë ministrit të Shëndetësisë, Nard Ndoka, dhe për dijeni Kryeministrit Sali Berisha dhe pret përgjigje për të anuluar këtë emërtim që ka cenuar zbatimin e procedurave dhe akteve ligjore. Dr. Florian Bllaca shprehet se emërtimi me emra të përveçëm i spitalit dhe pjesëve të tij është një proces tepër delikat dhe duhet të merren parasysh standardet dhe të plotësohen kriteret. Mjekët, qytetarët durrsakë të përfaqësuar nga shoqata, kanë kërkuar që në rast të emërtimit të zbatohen procedurat e njohura me ligj për emërtimin e institucioneve, duke marrë mendimin e mjekëve, qytetarëve dhe në fund miratimin e pushtetit vendor. Burime spitalore bëjnë të ditur për gazetën se përtej shkeljes së procedurave për këtë emërtim, emri që iu vu maternitetit ka një njollë të errët profesionale në kohën që ushtronte detyrën e mjekut gjinekologu në maternitet. Në Durrës qëndrojnë në pritje të vendimit që do të marrë kreu i dikasterit, Nard Ndoka, i cili duhet të kthejë mbrapsht OK-in që vetë ka dhënë pak kohë më parë dhe të dëshmojë se di të respektojë kriteret dhe rrugën ligjore qoftë dhe në emërtimin e një materniteti. Gjithçka është kthyer prej ditësh në argumentin kryesor mes mjekëve në spitalin e Durrësit. Gjithsesi të gjithë janë në pritje të reagimit të ministrit, në të kundërt të gjithë aktorët e përfshirë në reagimin qytetar durrsak do të hedhin sytë nga Kryeministri Sali Berisha që konsiderohet prej tyre si guri i fundit që mund të kthejë në vend qetësinë e humbur nga një akt që përtej dashurisë prindërore cenon fort rregullat e një komuniteti dhe ligjet në fuqi, duke abuzuar me detyrën, njohjet dhe pozicionin partiak në një mënyrë banale.