E Diel, 1 Nëntor 2026

Apeli lë në burg vrasësin e së dashurës

Ka dështuar tentativa e Arben Mërtirit për të ulur vitet e dënimit të tij në Gjykatën e Apelit në kryeqytet. Gjykata ka vendosur dje që të lërë në fuqi vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë në kryeqytet, e cila e kishte dënuar Mërtirin me 25 vjet heqje lirie. I shpallur fajtor për vrasjen e 19-vjeçares Esmeralda Lahi, i riu nga kryeqyteti kishte përfituar uljen e dënimit për shkak të gjykimit të shkurtuar. Por dje, ai nuk ka mundur të përfitojë ulje të mëtejshme të këtij dënimi. Në tetor të vitit 2006, Mërtiri i ndihmuar edhe nga Marsela Guri, është takuar në afërsi të shkollës së Baletit, në rrugën "Mihal Grameno" në kryeqytet me Esmeralda Lahin, të cilën megjithëse e kishte të dashur, donte ta trafikonte jashtë vendit. Pasi nuk ka mundur t‘ia mbushë mendjen vajzës ai duket sa ka humbur kontrollin dhe e ka qëlluar atë me pistoletë, duke i shkaktuar vdekjen. Nga plumbat ka mbetur e plagosur edhe Marsela Guri, bashkëpunëtorja Mërtirit. Në maj të këtij viti, Gjykata e Tiranës e ka dënuar Mërtirin me 25 vjet heqje lirie.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›