Kërkohen Murinjo, Lipi dhe Skolari
Drejtuesit e Federatës Meksikane të Futbollit kanë bërë të qartë se po kërkojnë trajnerë shumë të njohur për të drejtuar këtë përfaqësuese në eliminatorët e Botërorit 2010. Presidenti Justino Kompean, ka treguar se ish-trajneri i Çelsit, Hoze Murinjo, është një prej emrave, bashkë me Marçelo Lipin, ish-trajnerin e Italisë. Ai konfirmoi se sekretari Desio de Maria do të flasë me dy trajnerët, aktualisht të papunë, për t‘u propozuar vendin e lënë bosh pas shkarkimit të Hugo Sançez. Në listën e emrave të preferuar janë edhe Luis Felipe Skolari i Portugalisë dhe trajneri aktual i Atletikos së Madridit, Havier Aguirre. "De Maria do të takojë trajnerët gjatë fundjavës. Kemi takime me Skolarin dhe Lipin, ndërsa do kontaktojmë me Murinjon. E dimë që nuk do të jenë të shtrenjtë, por paratë nuk janë problem. Cilido qoftë çmimi, ne kërkojmë një trajner fitues", tha Kompean.