Kërkohen investitorë për një bankë të re shtetërore
Ministria e Financave filloi dje për herë të dytë kërkimet për një partner të huaj për Kompaninë e Parë të Zhvillimit Financiar të Shqipërisë, një institucion financiar kreditues i krijuar si pasardhës i Fondit për Zhvillimin e Zonave Malore. Njoftimi i Ministrisë së Financave thotë se i interesuari do të ketë për detyrë të fuqizojë funksionimin e këtij institucioni përmes zhvillimit të produkteve të reja financiare, si dhe të kontribuojë me minimalisht 5 milionë euro kapital të ri. Ofrohet gjithashtu edhe mundësia për të blerë në të ardhmen aksionet e qeverisë shqiptare. I krijuar në vitin 1999 si një projekt i financuar nga IFAD, kompania zhvilloi aktivitetin e vet në kreditimin e sipërmarrjeve bujqësore në zonat malore të vendit. Aktualisht ajo ka rreth 4900 kredimarrës aktivë me portofol kredish prej 16 milionë dollarësh. Gjatë vitit të kaluar, kompania realizoi fitime prej 276 mijë dollarësh amerikanë, ndërsa vetëm 5.65 për qind e kredimarrësve të saj kanë vonuar shlyerjen e kësteve të kredive për më shumë se 30 ditë. Kjo është një normë kredish të këqija shumë më e ulët se sa mesatarja kombëtare, e cila është aktualisht rreth 11.7 për qind. Totali i aseteve të kompanisë është 18 milionë dollarë, ndërsa kapitali është 11.4 milionë dollarë. Ajo zotëron 27 sportele kreditimi në zonat kodrinore dhe malore të vendit.
#