E Shtunë, 31 Tetor 2026

Propozohet rritja e pagës minimale

Këshilli Kombëtar i Punës mbledh grupet e interesit. Variantet dhe kundërshtitë

Ministria e Punës dhe e çështjeve Sociale mbledh sot grupin e punës dhe anëtarët që përfaqësojnë biznesin, për të diskutuar variantin e ri të pagës minimale. Në rendin e ditës është caktuar vetëm tema e diskutimit mbi pagën minimale, pa përmendur masën e propozuar. Megjithatë, burime pranë grupit të punës thonë për një variant të propozuar nga Ministria e Financave në masën 25 mijë lekë të reja në muaj bruto, ndërsa Këshilli i Punës mendon ta ulë në 21 mijë lekë. Aktualisht, paga minimale është rreth 18 mijë lekë, nga 11.5 mijë lekë që ishte në vitin 2005 dhe ka pësuar rritje tri herë brenda një harku kohor 4-vjeçar. Vendosja e pagës minimale bëhet për të mbrojtur shtresat sociale që punojnë me kohë të plotë, por, nga ana tjetër, shikohet me rezerva për biznesin që paguan kontributet, duke i rënduar kostot.

Debati

Mbledhja që pritet të zhvillohet sot parashikon të ketë debate, pasi anëtarët e Këshillit Kombëtar të Punës janë përgatitur të paraqesin studimet e tyre, bashkë me propozimet, të cilat synojnë rrëzimin e variantit të Financave. Megjithatë, nuk ka ende një konfirmim zyrtar të nivelit të ri të pagës, për aq kohë sa diskutimet nisin sot. Gjithsesi, çdo rritje e pagës minimale sjell kosto për biznesin, sidomos atë të prodhimit të tekstileve, pra atë fason. Rritja e fundit u bë vitin e kaluar, kur qeveria sapo kishte miratuar masën e kontributeve për punëdhënësit me 5 për qind, duke krijuar në një farë mënyre balancim në arkën e shtetit. Me pagën e re të rritur, qeveria synon të shtojë të ardhurat në arkën e saj, tashmë të zbrazur, pasi llogarit kontributet dhe taksën mbi pagë.

Efektet

Rritja e pagës minimale do të ndikojë në financat e bizneset, pra direkt te masa e fitimit, pasi do t’i duhet të paguajë më shumë kontribute për punëmarrësin. Një tjetër fenomen negativ lidhet me punësimin e të rinjve, të cilët nuk nxisin biznesin për aq kohë sa pagat minimale rriten në masën e pagave që marrin të punësuarit me eksperiencë.

Statistika

Gjatë tremujorit të katërt 2009, forca e punës është 1.042.618 persona, ndërsa shkalla e papunësisë së regjistruar është 13.75%. Numri mesatar i të punësuarve në sektorin privat bujqësor nga tremujori i dytë 2008 deri në tremujorin e tretë 2009 është vlerësuar sipas Anketës së Forcës së Punës 2007 dhe për tremujorin e katërt 2009 është vlerësuar sipas Anketës së Forcës së Punës 2008. Sipas këtij vlerësimi, numri mesatar i të punësuarve në këtë sektor për tremujorin e katërt 2009 është 496.190. Numri mesatar i të punësuarve në sektorin privat jo bujqësor është ulur me 0.9% krahasuar me tremujorin e katërt të vitit të kaluar. Numri mesatar i të papunëve të regjistruar gjatë tremujorit të katërt 2009 është 143.340, ndërsa numri mesatar i të papunëve që përfitojnë pagesë papunësie është 10.050. Niveli mesatar i ndihmës së pjesshme ekonomike është 3.150 lekë, ndërsa niveli i ndihmës ekonomike të plotë është 3.900 lekë. Niveli bazë i pagesës së papunësisë me VKM Nr. 631, datë 11.06.2009 është 6.340 lekë.

#

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›