Ministria e Drejtësisë, 120 faqe raport për Prokurorinë e Elbasanit
Ministria e Drejtësisë ka përfunduar raportin e kontrollit në Prokurorinë e Elbasanit në lidhje me dosjet e pushuara e të pezulluara dhe konkluzionet i janë servirur Kryeprokurores Ina Rama. Drejtoria e Inspektimit në Ministrinë e Drejtësisë ka përpiluar një raport prej rreth 120 faqesh. Sipas burimeve nga Ministria e Drejtësisë, objekti i inspektimit kanë qenë rreth 800 procedime penale, nga të cilat mësohet se rreth 536 kanë qenë të pushuara. “Periudha kohore ku inspektimi është shtrirë ka lidhje me dosjet e viteve 2007, deri në fund të vitit 2009”, thanë burimet, ndërsa mësohet se raporti është konciz. Duke bërë një krahasim me raportin e kontrollit në Prokurorinë e Tiranës, raporti i Elbasanit është i saktë. Mësohet se raporti ka mbërritur në zyrën e Prokurorit të Përgjithshëm dhe pas verifikimeve kanë rezultuar disa probleme të vogla. Megjithatë, në këtë raport nuk ka asnjë rast të vërejtur ku inspektorët e Ministrisë së Drejtësisë të kenë tejkaluar kompetencat e tyre ligjore gjatë kontrollit. Mësohet se raporti do shqyrtohet dhe më pas do vendoset ose jo për një riinspektim të dytë nga Specialistët e Prokurorisë së Përgjithshme.
Kontrolli në Prokurorinë e Elbasanit ka nisur në fillim të muajit dhjetor dhe ka përfunduar në fund të muajit shkurt, ku kanë kaluar në “sitë” dosjet penale. Janë gjetur disa parregullsi në pushimin e dosjeve, ndërsa janë rekomanduar marrja e masave disiplinore për prokurorët dhe OPGJ-të.
Prokuroria e Elbasanit është e treta në radhë nga akuzat në Shqipëri që i nënshtrohet një kontrolli të imtësishëm. Të njëjtin fat kanë pasur edhe prokuroritë në Durrës dhe Tiranë, ku inspektorët e Ministrisë së Drejtësisë kanë gjetur disa shkelje, ndërsa i kanë rekomanduar Kryeprokurores Ina Rama masa ndaj disa prokurorëve. Ligji për funksionimin e akuzës qendrore përcakton se kur Ministria e Drejtësisë rekomandon masa ndaj prokurorëve, atëherë një grup kontrolli nga Prokuroria e Përgjithshme ndërmerr një kontroll në të njëjtën prokurori dhe me të njëjtin objekt. Në fund të kontrollit, raportet i drejtohen Prokurores së Përgjithshme, e cila është personi kompetent për të vendosur nëse do të marrë apo jo masa disiplinore.