E Shtunë, 31 Tetor 2026

Presidenti? Nano kërkon mbështetjen e Metës

Ish kryeministri Fatos Nano, ka zgjedhur LSI-në si forcën e parë politike nga ku ai do të kërkojë mbështetje për tu zgjedhur President i ardhshmë i vendit. I pari Ilir Meta dhe fill pas tij Fatos Nano, dy ish bashkëpuntorët janë shfaqur fiks në orën 17:00 në dyert e hotel Rogner, ku edhe kanë zhvilluar takimin e tyre. Mjaft i qartë dhe si gjithmonë me batuta në deklaratat e tij, Nano la të kuptohet se të paktën e ka mbështetjen e kryetarit të LSI-së, në kohën kur do marrë dhe mbështetjen e shumicës parlamentare.
 

“Nisa turin e konsultave me përfaqësuesit e partive, koncidencë që nisi me Metën, ndoshta dhe pse Partia e tij është Lëvizje për Integrim dhe unë dua të lëviz me ritmin e integrimit.Po identifikojmë mundësitë që ekzistojnë për një proces sa më konsensual, në kuadër edhe të 100 vjetorit, në funksion dhe të marrjes së statusit kandidat. Duhet një politikë më e arsyetuar, më konsensuale në të mirë të integrimit të vendit, të vihet në shërbim të interesave kombëtare. Është koha për të gjetur një zgjidhje pozitive për Shqipërinë” tha ai.
Vetë kreu i LSI-së për këtë takim tha se do kontribuojë në mënyrë kostruktive në këtë proces të zgjedhjes së kreut të shtetit.
 

“Është kënaqësi për të qenë vazhdimisht në dialog me zotin Nano, politikan i njohur që ka afirmuar vullnetin e tij për tu ofruar si kandidat për President. Pavarësisht diagramës në të kaluarën, është një politkan që i ka shërbyer rrotacionit të demokracisë. Mbetet i rëndësishëm kontributi i tij për ti shërbyer procesit të Bashkimit Europian. LSI do të kontribuojë në mënyrë konstruktive në këtë proces. Institucioni i Presidentit nuk duhet konsideruar si një llogore më shumë. Duhet të jetë një proces që duhet të faktorizojë Shqipërinë, jo palët apo politikën” deklaroi Meta.
 

Ish- Kryeministri i fundit i socialistëve po përpiqet të maksimalizojë votat dhe për rrjedhojë edhe mbështetjen, pasi ai vetë ka lajmëruar se javën e ardhshme ka në axhendë një takim edhe me kreun e PS, Edi Rama , të cilit do ti kërkojë gjithashtu mbështetje, por edhe me kryeministrin Berisha, për të cilin ai e ka gjetur gjithashtu një përgjigje për deklaratën e bërë gjatë paradites së të premtes.
 

“Berisha bën mirë që nuk sposton axhendën e shpallur dhe për pastrimin e Shqipërisë nga ndotjet, por unë sjam në pjesën e ndotjeve” u shpreh ai.
 

Vetë kreu i LSI-së nuk pranoi të bëjë koment duke thënë se nuk është koha për të treguar votën.

Ky është takimi i parë që Nano zhvillon pas vetëshpalljes për postin e kreut të shtetit. Nano ka deklaruar se do të paraqitej si kandidaturë në zgjedhjet presidenciale me një platformë konkrete dhe një vizion të qartë që i shërben procesit integrues të vendit dhe se për këtë do të zhvillonte takime me liderët e partive parlamentare.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›