E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kërkohet privatizimi i pyjeve

02/11/2011   Shpërdorimi pa kriter nga firmat private rrudh sipërfaqen pyjore e shton erozionin

Sasia e drurëve të prerë në vit vetëm për ngrohej arrin mbi 2 milionë metër kub

Pranvera Kola

Shpërdorimi pa kriter i pyjeve ka ngritur më këmbë strukturat mjedisore, të cilat kanë pohuar se e vetmja formë për të ndaluar prerjet abuzive të pakontrolluara do të ishte privatizimi i tyre. Propozimi është lëshuar nga kreu i dikasterit të mjedisit Fatmir Mediu në takimin me përfaqësues të Akademisë së Shkencave, ku janë konfirmuar edhe raportet shqetësuese të shpyllëzimeve në vend. Këto të fundit çdo ditë e më tepër po kërcënojnë me zhdukje të sipërfaqes si pasojë e rritjes së nivelit të erozionit dhe përmbytjes së tokave bujqësore. Krijimi i një klime bashkëpunimi publik privat, sipas Mediut, do të ishte rruga më e mirë për të menaxhuar këtë situatë tepër shqetësuese. Kjo duke qenë se raporti ndërmjet pemëve të mbjella dhe atyre të zhdukura në vit ka arritur në përmasa katastrofike. Nga ky bashkëpunim, sipas ministrit, do të sigurohej edhe pakësimi i numrit të firmave private që do të lejohen të shfrytëzojnë pyjet. Gjithashtu ministri ka bërë kritika edhe për strukturat e pushtetit vendor, të cilat nuk kanë kryer siç duhet punën për menaxhimin dhe mbrojtjen e pyjeve në territoret e tyre. Sa u takon firmave që shfrytëzojnë sipërfaqen pyjore në vend, Mediu është shprehur me përfaqësuesit e Akademisë së Shkencave se në vend operojnë 240 firma, shifër kjo shumë herë më e lartë sesa duhet krahasuar me sipërfaqen pyjore që ka vendi ynë. Për të frenuar këtë fenomen problematik, sipas ministrit, shfaqet e domosdoshme kërkesa për vendosjen e një raporti të kushtëzuar mes firmave dhe prerjes së pyjeve. Skema e re e propozuar për menaxhimin e pyjeve është hedhur për stom në radhët e grupeve akademike. “Për fat të keq, në Shqipëri janë mbi 240 firma që merren me shfrytëzimin e sipërfaqeve pyjore, pjesa më e madhe e tyre pa nivel të caktuar teknologjik, pa kushte profesionale, pa ekspertizën e nevojshme për të kryer aktivitetet në nivelin që duhet. Për një sipërfaqe pyjore siç është Shqipëria është shumë e tepërt për të pasur një numër të tillë, që tregon një raport jo të qëndrueshëm dhe të drejtpërdrejt, qoftë të këtyre kompanive, qoftë dhe të individëve me pyjet. Ka ardhur koha për një reformë të thellë, nëse duam ti ruajmë pyjet dhe ti shtojmë në mënyrë racionale, duhet të gjejmë raportin e përgjegjësisë të përdoruesve dhe atyre që shtojnë pyjet", - ka pohuar Mediu. Gjithashtu edhe deputeti Jemin Gjana ka kërkuar që në buxhetin e shtetit të parashikohen më shumë fonde për sektorin e pyjeve, sektor i cili për një kohë të gjatë është lënë jashtë vëmendjes. “Sektori i pyjeve është ende një sektor jashtë vëmendjes së programimit buxhetor të vendit. Ka edhe sektorë të tjerë. Unë jam i keqardhur që edhe bujqësia shqiptare nuk ka mundur në këta 20 vjet në programimet buxhetore të ketë marrë dhe ti jenë adresuar asaj financat jo aq sa asaj i duhen", - ka pohuar Gjana.

Shpërdorimi

Për fat të keq, në Shqipëri janë mbi 240 firma që merren me shfrytëzimin e sipërfaqeve pyjore, pjesa më e madhe e tyre pa nivel të caktuar teknologjik, pa kushte profesionale, pa ekspertizën e nevojshme për të kryer aktivitetet në nivelin që duhet. Për një sipërfaqe pyjore si është Shqipëria është shumë e tepërt për të pasur një numër të tillë, që tregon një raport jo të qëndrueshëm dhe të drejtpërdrejt qoftë të këtyre kompanive, qoftë dhe të individëve me pyjet.

Rreziku nga erozioni

Shpërdorimi pa kriter i lëndës drusore ka shtuar edhe erozionin. Të dhënat e publikuara nga strukturat e mjedisit tregojnë se Shqipëria klasifikohet si një nga vendet mesdhetare me nivelin më të lartë të erozionit nga 21.4 në 34.7 tonë /ha për vit, së cilës mund ti shtohen edhe 140 mijë ha të tjera, nëse nuk merren masa. Humbja e tokës është rezultat i degradimit të bimësisë nga punë hidroteknike që kryhen, si dhe nga shfrytëzimi i tokave bujqësore për qëllime ndërtimi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›